Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Dacic ka thënë sot se deklarata e kandidatit për kryeministër të Kosovës, në lidhje me kërkesën e tij për të mos qenë pjesë në tryezën e bisedimeve presidenti serb, Aleksandar Vucic, tregon se Kosova nuk interesohet për dialog dhe kompromis.
Pak para fillimit të seancës së Bordit Kryesor të Partisë së tij Socialiste, Dacic tha se nëse Kosova vazhdon me këso lloj politike, Serbia nuk do të jetë optimiste për vazhdim të dialogut.
‘Nëse ata vazhdojnë kështu, ne nuk jemi optimistë kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai duke shtuar se kjo sjellje nga ana e Prishtinës, do të jetë një nga temat në këtë seancë.
Siç raportojnë mediet serbe, Dacic thotë se pavarësisht nga fakti që Serbia ka një qasje konstruktive, nga veprimet e Prishtinës mund të konkludohet se është një “çmenduri politike” dhe akte të njëanshme që tregojnë se Prishtina është faktori më i madh i paqëndrueshmërisë.
‘Kjo mund të shihet në takimin e Presidentit Vucic me zyrtarë të shumtë ndërkombëtarë, ndërsa në të njëjtën kohë Serbia bëri shumë për të forcuar pozicionin e saj duke stabilizuar situatën e saj financiare’, tha ai.
Dacic shtoi se qëllimi më i rëndësishëm për këtë qeveri është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, duke thënë se duhet të ketë unitet politik dhe një situatë të qëndrueshme politike në Serbi.
‘Ky është thelbi i marrëdhënies sonë me Partinë Progresive Serbe (SNS). Ne ndajmë të njëjtat synime, që është të mbrojmë më mirë interesat kombëtare të Serbisë dhe të përmbushim të gjitha parakushtet që ne të kemi një rritje sociale në një periudhë të gjatë’, përfundoi Dacic.
Në iniciativën ‘Dialogu për Ballkanin’, të organizuar nga Instituti EastWest, Fondi i Beogradit për Përsosmëri Politike dhe Konferenca e Sigurisë së Munihut, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka treguar parimet e tij sa i përket vazhdimit të dialogut, ku tha se nuk dëshiron që presidenti serb, Aleksandar Vucic të jetë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi, të mos ketë diskutime mbi territorin e Kosovës, si dhe të mos mund të ketë diskutime për hartat në rajon.
E këtyre deklaratave iu përgjigj edhe Vucic, i cili tha se kjo fushatë e Kurtit është kompliment për të.
‘Fushata kundër meje në Prishtinë është e njëjtë si ajo këtu. Ka vetëm një objektiv, dhe kjo ndodh të jem unë’, është shprehur Vucic për mediet serbe. /gazetametro