Pas dy refuzimeve që iu bë nga Lëvizja Vetëvendosje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nesër do të pres në takim kryetarin e VV’së, Albin Kurtin për të marrë mandatarin për formimin e Qeverisë së re.
Para zhvillimit të këtij takimi, i cili do të mbahet më 6 janar nga ora 15:00, Presidenti Thaçi ka thënë se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje mes partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe partnerit qeverisës.
‘E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë që zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres’, ka thënë presidenti Thaçi.
Në anën tjetër, Kurti i cili e refuzoi për dy herë radhazi ftesën e Presidentit, ditë më parë ka thënë se do të takohet me Presidentin Thaçi, por ai nuk e përcakton datën e formimit të qeverisë.
‘Mua vetëm LDK më përcakton datën e formimit të qeverisë’, ka thënë Kurti.
Presidenti ia bëri ftesën e fundit liderit të VV’së, më datën 30 dhjetor, mirëpo Kurti në përgjigjen e tij zyrtare tha se mund të takohen më 6 janar të vitit 2020, gjë që konfirmoi se deri në vitin 2020 nuk do të ketë Qeveri, ani se më 26 dhjetor u konstituua Kuvendi i Kosovës, ku u zgjodhën kryetari dhe kryesia e Kuvendit.
Një situatë e tillë, ku kryetar Kuvendi u zgjodh përfaqësuesi i VV’së, Glauk Konjufca, vetëm sa e forcoi barrikadimin e bisedimeve për koalicion midis VV’së dhe LDK’së, të cilat për pozita të caktuara nuk po arrijnë të formojnë koalicion qeverisës.
Por, siç duket një mosmarrëveshjeje të tillë, ende nuk po i dihet fundi pasi që takimit të Thaçit me Kurtin do t’i paraprijnë dy mbledhjet e rëndësishme të LDK’së, që do t’i mbajë me kryesinë dhe me grupin parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e kësaj partie për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me Vetëvendosjen.
Mediet kanë raportuar se VV tanimë i ka bërë një ofertë LDK’së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK’së t’i merr gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK’së, dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV’së, duke u barazuar sa i përket ministrive.