Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot pritet të takohet me liderët e partive politike për të diskutuar hapat e mëtejmë, rreth formimit të Qeverisë.
Kjo u bë e ditur nga zyra e Presidentit përmes një njoftimi për media.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në orën 16:30, në sallën C-301, do të mbajë takim konsultativ me liderët e subjekteve politike parlamentare. Gazetarët, fotografët dhe kameramanët lejohen të qëndrojnë në hollin e Kuvendit. Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun do të përkujdesët që mediave t’iu dërgojë fotografi dhe pamje vizuale nga ky takim”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Ndërkaq, se do të konsultohet me liderët e partive të tjera e konfirmoi vet Presidenti në një letër të dërguar më herët Kurtit.
Thaci ka njoftuar Kurtin se tashmë do të bëjë një konsultim të përbashkët me liderët e partive politike parlamentare për hapat e mëtejmë që do të ndërmerren, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.
Në këtë letër, Thaci i rikujton Kurtit se në pajtim me mandatin kushtetues të Presidentit të Republikës së Kosovës është përgjegjësi e tij ta ruajë stabilitetin e vendit dhe ta garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës.
Kujtojmë se kjo është leta e pestë me radhë që Thaçi po ia dërgon Kurtit, mirëpo ky i fundit nuk i është përgjigjur, duke thënë se do të presë deri të kalojë pandemia.
LDK në anën tjetër, është shprehur e gatshme për të marrë mandatin, dhe në koalicion me AAK’në, Nismën, AKR’në dhe minoritetet të formojë Qeverinë e re të Kosovës.