Brenda një dite, pasuria e Jeff Bezos shënoi rritje prej 13 miliardë dollarësh

Brenda një dite, pasuria e pronarit të kompanisë Amazon, Jeff Bezos, shënoi rritje prej 13 miliardë dollarësh. Kjo ndodhi pasi të hënën vlera e aksioneve të kompanisë së tij regjistroi ngritje 7.9 përqind, raporton revista Bloomberg.

Kjo është rritja më e madhe e pasurisë brenda një dite, që nga viti 2012, kur kjo revistë filloi të raportojë për shifrat e pasurisë së miliarderëve.

Bezos, 56 vjeç, është njeriu më i pasur në botë me 189 miliardë dollarë.

Që nga fillimi i këtij viti pasuria e tij është shtuar për 74 miliardë dollarë, pavarësisht faktit që Shtetet e Bashkuara shënuan krizën më të madhe ekonomike – të shkaktuar nga përhapja e koronavirusit – që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.

Gjatë kohës së pandemisë, shitjet online përmes kompanisë Amazon shënuan rritje.

Vlera në treg e kësaj kompanie vlerësohet në më shumë se një mijë miliardë dollarë.

Pasuria personale e Bezos është më e madhe sesa vlera e tregut e gjigandëve si Exxon Mobil Corp., Nike Inc., McDonald’s Corp. dhe korporatat e tjera.

Pasuria e ish-gruas së Bezos, Mackenzie u rrit ndjeshëm të hënën – me 4.6 miliardë dollarë, duke u bërë personi i 13-të më i pasur në botë.

Në vendin e dytë pas Jeff Bezos është Bill Gates me 118 miliardë dollarë


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu