A është ky skenari i marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë?

Takimi i paralajmëruar me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë midis dy delegacioneve, atij të Kosovës dhe të Serbisë, është shtyrë për një datë tjetër.

Nuk dihet nëse do të mbahet më 2 apo midis 8-10 shtatorit. Një shtyrje për kaq pak kohë nuk lidhet me përmbajtjen e rezultatit përfundimtar të bisedimeve Kosovë-Serbi, por me çeshtje të protokollit dhe formës së këtij takimi.

Kështu ka vlerësuar profesor dr. Enver Bytyçi, i cili shton se është shumë e arsyeshme të besojmë se pjesë e takimit do të bëhet në një moment të caktuar vetë presidenti amerikan, Donald Trump dhe shkak i shtyrjes të jetë bërë axhenda e tij.

Por, sipas tij, nëse kjo ndodh pas datës 8 shtator, atëherë duhet të besojmë se shtyrja ka të bëjë edhe me takimin e datës 7 shtator në Bruksel.

“Pjesëmarrja e presidentit Trump çon në përfundimin se në këtë takim do të ketë, një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja mund të jetë në formën e një memorandumi, me angazhimin e palëve (në këtë rast Serbisë) për t’i dhënë fund konfliktit midis dy vendeve. Në memorandum pritet të përcaktohen disa parime dhe të adresohen disa hapa që do të bëhen me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian për përmbylljen e negociatave, duke i përcaktuar detyrimet ndoshta në Bruksel përmes shtojcave ose anekseve përkatëse për temat më të nxehta”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në Kosovë thuhet se do të ketë një marrëveshje përfundimtare, ndërsa presidenti i Serbisë, Vuçiç, thotë se Presidenti Trump do të marrë pjesë nëse në takim do të arrihet diçka konkrete.

“Duhet të besojmë për diçka të ndërmjetme, por që do të çojë përfundimisht në zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. E përsëris, midis Kosovës dhe Serbisë, sepse prej vitit 1999 nuk ekziston më një konflikt shqiptaro-serb, siç është përpjekur ta interpretojë dhe legalizojë qeveria serbe e çdo kohe në Beograd. Vuçiç në daljen e fundit në publik kundërshtojë, por jo me tone kategiroke, se ai do të pranonte shtetësinë e Kosovës. Ai tha se bëhet fjalë për diçka, por jo për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, ndonëse Prishtina këmbëngul për njohjen. Në fakt udhëheqësit e Prishtinës duhet të jenë më transparent me qytetarët, sepse unë nuk besoj se ata nuk kanë një draft-marrëveshje në dorë. Përpjekja për të mos sqaruar publikun e vështirëson procesin”, thekson profesori.

Bytyçi pohon se, nëse ky takim bëhet pas atij të 7 shtatorit në Bruksel, ky do të ishte lajm i mirë, sepse kjo do të thotë se të dy aktorët kryesorë që kanë investuar lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës përafrojnë qëndrimet.

“Dhe nëse amerikanët dhe evropianët bashkëpunojnë, atëherë pritet që zgjidhja të jetë pozitive, në kuptimin e impaktit të saj për stabilitetin, paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon. Në të kundërt, nëse nuk merren parasysh interesat e dy aktorëve kryesorë ndërkombëtarë, atëherë nuk do të ketë zgjidhje të qëndrueshme. Të dy palët janë të interesuar për paqen në Ballkan, por varet se cilat janë opsionet e secilës palë”, thekson ai.

Sipas tij, koordinimi Europë-SHBA parandalon idetë e çmendura të ndryshimit të kufijve dhe duhet të besojmë se nuk shkojnë në adresimin e një zgjidhje që krijon mbivendosje institucionesh në Kosovë, sepse tashmë dihet që kjo e bën jo funksionale shtetësinë në këtë vend.

“Prandaj duhet të jemi optimistë të rezervuar se në takimin e fillim-shtatorit në Uashington do të ketë një marrëveshje përfundimtare të dobishme dhe me impakt pozitiv. Besimi se do të ndodh kështu buron gjithashtu se presidenti Trump do të rriskonte, nëse do të pranonte një marrëveshje që thellon krizën dhe konfliktin. Në këtë rast ai e di se kundërshtarët e tij politikë, demokratët e kontribuuesit kryesor, Bill Clinton, do ta sulmonin ashpër nëse do të imponojë një zgjidhje të keqe për Kosovën. Prandaj Trump në këto kohë është shumë i interesuar të realizojë një pajtim substancial midis Kosovës dhe Serbisë. Edhe nëse ky parashikim shihet si i vlefshëm, më duhet të ndalem te dy dilema: Pse Serbia do ta pranonte një zgjidhje pa përfitimin e territoreve dhe si do ta priste Rusia një marrëveshje si kjo, të dobishme dhe pozitive në kuptimin e njohjes dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës?”, vlerëson tutje profesori.

Sa i përket Serbisë, Bytyçi thotë se, ajo, ashtu si Shqipëria, drejtohen nga liderë autoritarë.

“Udhëheqësit autoritarë si Vuçiç, apo Rama nuk kanë problem tjetër, përveç ruajtjes dhe mbajtjes së pushtetit. Në këtë rast Vuçiç mund të pranonte një zgjidhje përfundimtare në këmbim të investimeve për zhvillimin ekonomik të vendit të tij dhe të integrimeve euro-atlantike. Këto dy faktorë do t’i bëjnë serbët që “ta harrojnë” Kosovën dhe ta zgjasin pa limit jetën e presidentit serb në pushtet. Sa i përket Rusisë, ajo ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se do të pranojë çdo zgjidhje për të cilën Serbia bie dakord. Por nëse ajo shikon që kjo marrëveshje pengon ose dobëson ndikimin rus në rajon, atëherë ka mundësi që të ndryshojë qëndrim dhe të mos e votojë marrëveshjen në Këshillin e Sigurimit. Vetëm nëse Moska llogarit që këtë njohje të shtetësisë së Kosovës ta shkëmbejë me njohjen zyrtare ndërkombëtare të aneksimit të Krimesë, atëherë mundet që të votojë ose abstenojë për ta pranuar Kosovën në OKB”, përfundon profesor Enver Bytyçi./BotaSot


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu