Lëvizje Vetëvendosje po dëshiron që me çdo kusht ta rrëzon Qeverinë Hoti dhe dërgoj vendin në zgjedhje, mirëpo për këtë kjo parti akoma nuk ka siguruar votat e mjaftueshme.
Partia e Albin Kurtit ende nuk ka mundur ta merr përkrahjen e partive parlamentare, madje as atë të partisë opozitare PDK-së që ka 24 deputetë.
Janë bërë një muaj që kur u iniciua mocioni për rrëzimin e Qeverisë Hoti nga Lëvizja Vetëvendosje, por akoma nuk kanë siguruar nënshkrimet e mjaftueshme për thirrjen e seancës.
Megjithatë, nga Vetëvendosje po flet anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Arbërie Nagavci e cila po deklaron se rrëzimi i kryeministrit Avdullah Hoti është vetëm çështje ditësh.
Nagavci po thotë se çështja e rrëzimit të Hoti nga pushteti është i pashmangshëm.
“Kurdo që cilado partitë, qoftë ato që janë në opozitë apo në qeverisje do të marrin vendimin për mbështetje të mocionit për rrëzimin e qeverisë, do të ishte një veprim në të mirë të vendit, e jo për mbështetje të LVV-së. Rrëzimi i kësaj qeverie është i pashmangshëm, është vetëm çështje ditësh, kohësh se kur do të ndodhë kjo, por sa më herët që të ndodhë, është më mirë për vendin”, tha Nagavci për Kosova Press.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje ka dalur kundër marrëveshjes ekonomike të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.