Ministri Quni: Nuk pajtohem me deklaratat që Turqia është më e afërt me Serbinë sesa me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Quni, pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq se vendi i tij po interesohet për të blerë dronë ushtarakë nga Turqia dhe raportimeve të shumta mbi këtë zhvillim në mediat e vendit, tha se këto mjete ushtarake mund të blihen nga cilido vend, varësisht nga ekonomia e atij vendi.

Quni, i cili muajin e kaluar ishte në një vizitë në Turqi me ftesën e ministrit të Mbrojtjes së qeverisë turke, Hulusi Akar, ku vizitoi edhe objektet ku prodhohen dronët e armatosur, në një program në një televizion të vendit tha se nuk pajtohet me deklaratat se Turqia është më e afërt me Serbinë sesa me Kosovën.

“Në Turqi ekzistojnë disa kompani që kanë subvencione nga qeveria dhe ato drejtohen nga politikat e qeverisë turke. Këto kompani private kanë të drejtën t’u ofrojnë shërbime edhe shteteve të tjera, në këtë rast të Serbisë”, tha Quni.

Po ashtu, ai theksoi se edhe Kosova mund t’i ketë në posedim këto armë sikur të kishte ekonominë mjaftueshëm të zhvilluar.

“Unë kam vizituar këto kompani dhe them se kushdo që ka ekonominë më të zhvilluar që t’i përballojë ato armë, edhe mund t’i posedojë”, shtoi Quni.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu