Nga Berlini duke folur në lidhje direkte për emisionin OPEN në Top Channel, Kreshniku Spahiu tha se Rama do të ndjekë një shëmbull si të Zaev në Maqedoni duke mos qenë kryeministër në ditën e zgjedhjeve.
“Ajo që do të sillte ndryshim dhe që mund të ndodhë pas dhjetorit, ku Edi Rama dhe Shqipëria mbaron rotacionin e drejtimit të OSBE-së, është një dorëheqje e kryeministrit Rama, nga posti për kryeministër, për ta adaptuar modelin e Zaev-it dhe për të shkuar në fushatë elektorale pa Ramën kryeministër. Si një mundësi për të legjitimuar rezultatet në zgjedhje”, u shpreh Spahiu.
Sipas tij, partitë politike nuk janë më organizime të strukturuara politike, po janë kthyer në shoqëri tregtare me një ortak të vetëm.
“Janë kthyer pak a shumë në biznese të kryetarëve, të cilët e skalojnë fitimin e tyre me ardhjen në pushtet dhe listat e tyre për deputet. Duket qartë që Partia Socialiste ka zgjedhur një metodë diametralisht kundër, pavarësisht se rezultati është i njëjtë. Socialistët kanë zgjedhur të hyjnë të vetëm, demokratët kanë zgjedhur të hyjnë me koalicion. Socialistët kanë zgjedhur të mos rrezikojnë në ndryshime strukturore apo në një garë para elektorale brenda strukturave për listat, demokratët kanë zgjedhur atë të publicitetit dhe listës së kandidatëve brenda strukturave” nënvizoi ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi.