Dardan Molliqaj pas fitores së VV-së sheh ardhjen e diktaturës në Kosovë

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas fitores së LVV-së në Podujevë, duke e cilësuar të pritshëm rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Pas kësaj fitore të LVV-së, Molliqaj ka paralajmëruar rrezik mbi demokracinë dhe diktaturë që do ta “totalizojë skenën dhe diskursin”.

“Dy mashtrime, asnjë zgjidhje. Rezultati i zgjedhjeve në Podujevë ishte pak a shumë i pritshëm dhe sidomos i kuptueshëm. Mashtrimi i madh i populizmit antikorrupsion do të vazhdojë edhe për një kohë. Por, një përgjigje e gabuar sillet vërdallë tash sa kohë. Këto zgjedhje provuan se përgjigja liberale e diskursit korrekt, që flet për normalitetin nuk funksionon sepse nuk është e duhura. Kjo përgjigje sheshon kontradiktat për ta ruajtur status-quon. Duke bërë këtë ruan edhe interesat ekonomike e politike që qeverisin në mënyrë të padrejtë përditshmërinë tonë. Por, adresimet me lidhje të shkurtëra nuk i tejkalojnë as nuk i heqin shkaqet strukturore që prodhojnë varfëri, papunësi dhe emigracion. Edhe një herë, problemi me populizmin nuk është kontradikta si e tillë, por lidhjet e shkurta që janë mungesë e kritikës ideologjike mbi pabarazitë”, ka shkruar Molliqaj.

Molliqaj ka paralajmëruar edhe një betejë në ardhje.

“Kosovën e pret një rrezik mbi demokracinë. Diktatura e numrave do ta totalizojë skenën dhe diskursin. Jo vetëm si kontroll medial, por edhe si strukturë e mbyllur ideologjike – si mohim i tjetrit. Kjo betejë është në ardhje. Por, kritiku i populizmit nuk mund të sillet me cinizëm e përçmim për njerëzit dhe nevojat shoqërore. Çfarë na duhet është më parë horizont sesa skemë. Së pari, mendimi i koncepteve si shumësia e heterodoksia si formë politike e shoqërore si praktika të reja ndërveprimi. Kështu, bashkimet nuk çojnë në instrumentalizime. Pastaj, sigurisht se janë limitet e domosdoshme të efekteve qeverisëse që mund të sjellë modeli që po fiton terren. Këto limite nuk do të vonojnë shumë”, ka shkruar Molliqaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu