LSM kërkon nga Qeveria që të rris pagën minimale

Rritja ligjore e pagës minimale për 400 denarë nuk është e mjaftueshme që qytetarët të mund t’i mbulojnë shpenzimet themelore të jetesës. Në vend të 15,400 sa duhet të jetë paga minimale sipas harmonizimit të marsit, sindikatat kërkojnë nga Qeveria të marrë vendim që paga minimale të jetë 16,976 denarë. Sipas tyre, punëdhënësit mund të paguajnë paga më të larta dhe rritja nuk do t’u shkaktojë barrë shtesë.

“Mendojmë se nuk është e mjaftueshme, ky është harmonizim, jo rritje. Ne duam që të merret vendim politik për një rritje të pagës sipas standardeve të Bashkimit Evropian, e cila do të ishte 60 përqind e pagës mesatare, ose 16,976 denarë”, tha mes tjerash Darko Dimovski – Kryetar i Lidhjes së Sindikatave.

Sipas të dhënave, rreth 100 mijë qytetarë në vend marrin pagën minimale kurse shumica e tyre janë të punësuar në industrinë e tekstilit. Shoqata “Punuesit e zëshëm të tekstilit” thotë se harmonizimi i ri nuk do t’i prekë qytetarët.

“A mendon dikush që produktet dhe shpenzimet e jetesës janë rritur, a mendon dikush që paga minimale është plotësisht e pamjaftueshme, se dy paga minimale nuk arrijnë pagën mesatare? Kjo periudhë me krizën e koronës, ka rritur nevojat për sigurim shëndetësor dhe më shumë nevojë për të ardhura më të larta”, pohoi Kristina Ampeva – Shoqata “Punuesit e zëshëm të tekstilit”

Odat ekonomike nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse rritja ligjore e pagës minimale mund të jetë barrë për ekonominë në kohë krize. Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se shporta konsumatore për muajin paraprak ka qenë 33,702 denarë. Me pagën minimale të harmonizuar, një familje prej katër anëtarëve me dy paga minimale do të ketë mungesë prej 3000 denarëve për të mbuluar vetëm shpenzimet themelore të jetesës siç janë shpenzimet e përgjithshme, ushqimin dhe pijet, shërbimet shëndetësore dhe ilaçet, veshjet dhe mbathjet, transporti, kultura dhe argëtimi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu