“I nderuar Kryeministër, shfrytëzoj rastin t’ju shpreh konsideratën time më të lartë dhe t’ju uroj suksese në detyrat e rëndësishme që keni përpara”.
Kështu ka shkruar në urimin e saj Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me këtë ka pasur shumë reagime të ndryshme që shprehin shqetësime për afërsinë e Gjykatës Kushtetuese me qeverinë.
Një të tillë e ka bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës duke thënë se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese ka qenë vlerë e jashtëzakonshme e pjekurisë demokratike.
Gjithashtu, ata thonë se pushteti i Gjykatës është i ndarë dhe i pavarur nga ai i qeverisë.
Sipas LDK-së, çdo afrim i Kryetarës së Gjykatës është i paprecedent si urim dhe i pazakontë e anues dhe sipas LDK-së, dëshmon cenim të kredibilitetit të institucionit.
Ky është reagimi i plotë i LDK-së:
“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shprehë brengosje për afërsinë e paprecedentë të Gjykatës Kushtetuese me Qeverinë – përkatësisht pushtetin. Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese ka qenë vlerë e jashtëzakonshme e pjekurisë demokratike të institucionit që për vite ka ruajtur kredibilitetin e vet. Pushteti i Gjykatës është i ndarë dhe i pavarur nga ai i Qeverisë dhe si i tillë duhet të mbetet gjithëherë.
Tani çdo afrim, i Kryetarës së Gjykatës, në emër të Gjykatës, qoftë edhe si urim, i paprecedentë e i pazakontë dhe mbi të gjitha anues, dëshmon për cenimin e kredibilitetit të institucionit në fjalë; në kohë kur paanshmëria është vlerë thelbësore e demokracisë.”, shkruhet në deklaratë.