“Conor Benn nuk dëshiron të rrezikojë”, ky është mesazhi i qartë i Florian Markut, boksierit shqiptar që prej kohësh kërkon të përballet me britanikun e pamposhtur pas 18 ndeshjesh.
Të fundit Conor e fitoi ndaj Samuel Vargas, që në raundin e parë, dhe ka bërë bujë, pasi kundërshtari u thye me KO teknik pas 80 sekondash. Vargas kishte humbur në 6 duelet e fundit, por nuk pritej që Conor Benn të mundte aq lehtë.
Marku ka reaguar pas fitores së “Shkatërruesit” dhe e uron, por i kujton të njëjtat fjalë që ia ka thënë në sy pas fitores që lushnjari arriti kundër Rylan Charlton.
“Urime për Conor, por siç e kam thënë edhe më parë, nëse lufton me dikë që ka tetë humbje nuk e ka problem të humbasë edhe një tjetër. Ai i ka shmangur të gjithë kundërshtarët në Angli për një arsye”, shkruan Marku në “Twitter”.