Roma e kërkon prej kohësh Granit Xhakën, madje kapiteni i Zvicrës ishte kërkesa e parë që i bëri drejtuesve të klubit Jose Mourinho sapo mori drejtimin e verdhekuqve.
Bisedimet mes dy klubeve nuk kanë sjellë akord. 28-vjeçari shqiptar preferon transferimin në Serie A tek ekipi kryeqytetas, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta u ndal te situata e Xhakës pas përfundimit të miqësores me Chelsea, që u fitua 2-1 nga skuadra e Thomas Tuchel.
“Granit Xhaka nuk do të largohet nga Arsenali, ai do të qëndrojë këtu me ne, pasi është një pikë kyçe e skuadrës tonë“, deklaroi trajneri spanjoll në lidhje me autorin e golit të vetëm të Arsenalit.
Topçinjtë kanë refuzuar 15 milion eurot e Romës, dhe kanë gati rinovimin me lojtarin dardan, të cilit i ofrohet një kontratë deri në 2025 me një rritje të konsiderueshme rroge.