Kistet e ovareve janë qese të mbushura me likid në ovare ose, sikurse ne i themi në gjuhë të thjeshtë pacientëve , “qese me ujë” në vezore. Ati janë të zakonshme dhe përgjithësisht formohen përgjatë ovulacionit, pra ditën kur veza është pjekur dhe bëhet gati për t’u ngjizur/fekonduar me spermatozoidin normalisht pasi kalon tubat e fallopit dhe fiksohet në pjesën e brendshme të mitrës, që në mjekësi e quajmë endometër.
Ovulacioni ndodh çdo muaj dhe, nëse një cikël menstrual është 28 ditësh, supozohet se ovulacioni ndodh në ditën e 14-të të ciklit. Shumë femra me kiste ovariane nuk kanë simptoma, pasi kistet e ovareve zakonisht janë të padëmshme për organizmin.
Por ovulacioni mund të shkaktojë dhimbje barku ose gjoksi.
Kistet e ovareve janë të zakonshme te femrat që kanë cikël normal të periodave. Shumica e femrave prodhojnë minimumi një kist folikular ose një kist të korpusit luteum. Pjesa më e madhe e femrave as që e dinë që kanë një kist të tillë deri kur kanë një problem që e bën kistin të rritet ose të formohet shumëfish.
Ka të dhëna që deri në 10 % të femrave paramenopauzë zhvillojnë kiste të mëdha të ovareve që kanë nevojë për trajtim. Kistet ovariale janë më pak të zakonshme pas menopauzës dhe këto kiste kanë risk të lartë për të qenë kancere të ovareve.
Disa simptoma që femra të bëjë një konsultë te mjeku:
Nisur edhe nga historia mjekësore familjare apo për çdo dyshim të mundshëm, nëse femra ka (pavarësisht moshës):
fryrje barku,
urinon shpesh,
ndjen si një rëndesë në fund të barkut,
dhimbje në fund të barkut dhe shpinës,
ose në rastet e një hemoragjie jo normale vaginale (kjo e fundit ndodh rrallë).
Në rastet e përdredhjes së kistit ose të vezores kemi dhimbjen e barkut të shoqëruara edhe me të vjella.
Këto mund të jenë shenja të probleme të kisteve të vezoreve.
Çfarë i shkakton?
Për formimin e kisteve të vezoreve, sikurse thamë edhe më lart, një rol luajnë problemet hormonale, si në kistet funksionale që zhduken vetë pa mjekim pas një kohë të shkurtër. Ata mund të shkaktohen nga probleme hormonale, si dhe përdorimi i ilaçeve për të ndihmuar ovulacionin.
Endometrioza:
Këto shkaktohen kur zhvillohet pjesa e brendshme e mitrës, që quhet endometër, jashtë kavitetit të mitrës, këto inde endometrioze ngjiten në vezore dhe formojnë endometrioma. Këto janë edhe më të dhimbshme gjatë ciklit menstrual dhe gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale.
Shtatzënia: Ndikon sepse një kist ovarial zhvillohet në fillimet e shtatzënisë për të ndihmuar shtatzëninë deri kur formohet placenta. Në disa raste kisti qëndron në vezore deri në fund të shtatzënisë dhe mund të nevojitet të hiqet, sidomos kur lindja përfundon si lindje cezareane ose lindje me operacion që i thotë populli.
Infeksione të rënda dhe kronike pelvike: infeksionet mund të shpërndahen në vezore dhe tubat e fallopit dhe mund të shkaktojnë formimin e kisteve.