Kredoja e presidentit të ri: Tre fjalitë e Begajt për qeverinë dhe opozitën

Ushtaraku-mjek Bajram Begaj u betua si president në Kuvendin e Shqipërisë, pak para se të hyjë në godinën e kreut të ri të shtetit për të marrë detyrën e lartë 5-vjeçare, duke pasuar Ilir Metën.

Në fjalën e tij, ai përcolli kredon e tij politike me tre fjali: “Mbështes dhe e respektoj punën e qeverisë, por nuk justifikohet asnjë dështim. Mbështes dhe e respektoj opozitën, por të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit. Të mos lutet dështimi përpara gjetjes së zgjidhjeve”.

Ai paratha se do synojë të jetë presidenti i dialogut mes palëve.

“Në tryezën e dialogut, për të provuar kapitull pas kapitulli, denjësinë tonë si shtet”.

Begaj kujtoi momentin e vështirë global, ku as Shqipëria s’bën përjashtim.

“Po jetojmë kohët më të vështira që prej Luftës së Dytë Botërore. Agresioni rus ka futur botën në një tjetër krizë. Shqipëria dhe shqiptarët janë të rreshtuar në anën e duhur, përkrah aleatëve. Angazhimi ynë është të gjejmë mënyra për të lehtësuar situatën”, tha kreu i ri i shtetit.

Në aktin e betimit të tij qe vetëm një pjesë e PD-së, ku ranë sy dhe Basha, por asesi Berisha, i cili, në stilin e tij politik vendos të mos e pranojë zgjedhjen e mashorancës për kreun e ri të shtetit.

Më herët, PD-ja e tij lëshoi një deklaratë të ashpër për këtë rast:

“25 korriku i vitit 2022 do të gdhendet me germa të zeza në muret e kohës si një ditë fatkeqësie kombëtare për demokracinë dhe liritë e shqiptarëve.

Sot, me inaugurimin e Presidentit socialist, pas 32 viteve, në Shqipëri rivendoset monizimi i plotë”, nis një deklaratë e frymës berishiste.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu