Raporti zyrtar, ja cilat janë shkaqet që çuan në përplasjen e avionit të Chapecoense

Inspektorët e Aviacionit Civil në Kolumbi kanë prezantuar sot raportin paraprak mbi shkaqet e rrëzimit më 28 nëntor të avionit i cili transportonte ekipin e futbollit të Chapecoense i cili shkaktoi 71 viktima.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të sigurisë, kolonelit Fredi Bonila, kishte dy shkaqe kryesore që çuan në rrëzimin e avionit.

Në regjistrimet në kabinë, dëgjohet se si piloti dhe ndihmësi i tij diskutuan mundësinë që të uleshin në Leticia apo Bogota, dy qytete të tjera në Kolumbi, “pasi karburanti ishte në limitet e tij”, por në fund vendosën të vazhdonin udhëtimin.

“Ata ishin të ndërgjegjshëm rreth faktit se karburanti që kishin në mjet nuk ishte i përshtatshëm me sasinë e kërkuar për të mbyllur udhëtimin apo që nuk do të ishte i mjaftueshëm për t’i çuar në destinacion”, theksoi koloneli kolumbian. Ai saktësoi gjithashtu se arsyeja e konsumit të tepërt të karburantit ishte se avioni mbante në këtë udhëtim një peshë “500 kilogram më të madhe se ajo që mund të mbante mjeti”.

Bonila tregoi se në aviacion kishte një ndryshim të madh mes termave “prioritet” dhe “urgjencë” dhe se ky term i dytë ishte përdorur nga piloti vetëm kur kulla e kontrollit e kishte pyetur edhe sa kohë do të qëndronte avioni në fluturim. Sipas rregullave, avioni duhej të kishte pasur karburant ekstra që të qëndronte në fluturim edhe një orë tjetër.

Për shkak të mungesës së karburantit, motorët e avionit u fikën gradualisht. Katër minuta para përplasjes, avioni fluturonte me vetëm dy motorë, ndërsa 25 sekonda më vonë nuk punonte asnjë motor. Sipas regjistrimeve të Aviacionit Civil, piloti nuk e informoi kontrollorin e fluturimit se motorët ishin të fikur.

Regjistrimet tregojnë gjithashtu se kontrollori pyeti nëse kërkohej ndonjë shërbim emergjence në pistë, në momentin e mbërritjes, por piloti i tha se nëse do të nevojitej, do t’ia konfirmonte më vonë.

Në orën 12:57 lokale, dy minuta para përplasjes, piloti raportoi se kishte humbur plotësisht fuqinë motorike për shkak të mungesës së karburantit. Avioni gjendej në 9 mijë këmbë lartësi, 1 mijë këmbë më pak sesa minimumi i nevojshëm.

Një minutë para përplasjes, avioni humbi kontrollin me kullën, për arsye ende të pashpjeguara. Raporti përfundimtar pritet të dalë gjatë muajit të ardhshëm dhe prej tij do të sqarohet përfundimisht nëse gjithçka kishte ndodhur për shkak të neglizhencës së pilotëve apo kishte qenë e qëllimshme.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu