Vuçiq për Reuters: Ne po kërkojmë një mënyrë për të çliruar serbët dhe për të qetësuar tensionet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë mbrëmë në një intervistë për agjencinë britanike Reuters se Serbia po kërkon lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar dhe mënyra për të qetësuar tensionet në veri të Kosovës, transmeton InfoShqip.

Vuçiq, në intervistën që dha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka përsëritur se serbët në Kosovë nuk guxojnë të marrin pjesë në dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe forcave të EULEX-it.

“Askush, në asnjë rrethanë, nuk duhet të marrë pjesë në sulmet ndaj Eulex-it dhe Kfor-it”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse Beogradi do të përpiqet të gjejë një mënyrë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës, ai u përgjigj shkurt “absolutisht”.

Agjencia thekson se Vuçiq akuzoi autoritetet e Prishtinës dhe kryeministrin Albin Kurti për nxitje të tensioneve me “lëvizje të panumërta të njëanshme”.

Sa herë që dikush mendonte se ne kishim zgjidhur diçka, shfaqej një problem tjetër”, theksoi Vuçiq.

Presidenti i Serbisë ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar së fundmi në veri të Kosovës, sepse siç ka theksuar ai, “ata mbahen nën akuza të sajuara dhe se policia e Kosovës është tërhequr nga veriu i Kosovës, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

Policia e Kosovës nuk ka çfarë të bëjë në veri… Sidomos njerëz të armatosur deri në dhëmbë. Shkakton shqetësim dhe frikë te popullata serbe”, tha Vuçiq.

Agjencia britanike pretendon se Vuçiq ka refuzuar të specifikojë se cilat hapa ka miratuar Këshilli i Sigurisë Kombëtare në seancë./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu