Edi Rama kërcënon BE-në: Zgjohuni, në të kundërt shqiptarët do të ndihen të tradhtuar

Kryeministri Edi Rama ka hedhur shumë akuza ndaj shteteve të Bashkimit Europian duke marrë shkas nga arrestimi në Francë i ish-Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Edhe pse ka qenë Serbia që ka bërë krime të shumta ndaj shqiptarëve, Edi Rama thotë se Kosova po trajtohet jo në mënyrë të barabartë nga Bashkimi Europian.

Kreu i Qeverisë Shqiptare i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të “zgjohen”, pasi jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por gjithë populli shqiptar do të zhgënjehet nga projekti i integrimit në BE dhe procesi i paqes në rajonin e Ballkanit.

Pjesë nga reagimi i gjatë i Kryeministrit Edi Rama:

Si ka mundësi që urdhër-arrestet e vendit agresor të një lufte që përfshiu vetë NATO-n kundër atij vendi, të mundet ende sot të vlejnë si mandate legjitime të policive të një sërë vendesh europiane, për të burgosur luftëtarët që i’u kundërvunë atij agresioni dhe që, për më tepër, i janë nënshtruar më pas, pa asnjë rezistencë, qoftë Hagës dhe qoftë votimit parlamentar të risisë botërore të një Tribunali Special për vetveten?!

Unë nuk di t’a jap sot përgjigjen e këtyre pyetjeve. Por ja çfarë jam i sigurtë se duhet thënë sot që nesër të mos jetë vonë:

Stabiliteti dhe siguria e Kosovës, ku NATO ka praninë e saj më të madhe në rajon, është parakusht i patjetërsueshëm jo vetëm për stabilitetin rajonal, po edhe për Ballkanin si investitor në arkitekturën e paqes e të sigurisë europiane.

Qasja e dyzuar e Bashkimit Europian ndaj Serbisë dhe Kosovës, ku të parës i tolerohen eksese inerciale të së shkuarës së vet, siç është, ndër të tjera, mbajtja në fuqi e urdhër-arresteve ndërkombëtare për “kriminelët” e UÇK-së, ndërsa të dytës i vihen kushte sui generis deri edhe për liberalizimin e vizave, po krijon një lëndim psikologjik që mund të ndikojë për keq, jo vetëm në perceptimin e popullit euro-optimist të Kosovës për raportin me Europën e Bashkuar, po edhe në tërësi tek shqiptarët si kontribues të padiskutueshëm në projektin e madh të paqes e të integrimit të plotë europian të rajonit.

Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova të ndjehet e tradhëtuar prej tyre!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu