Ushtria e Tajlandës ka zbarkuar në jug të vendit për të ndihmuar popullsinë lokale të rrezikuar nga përmbytjet e mëdha të cilat kanë përfshirë atë pjesë të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç lajmërojnë mediat vendase, qindra mijëra banorë kanë braktisur shtëpitë e tyre nga shkaku i shirave të rrëmbyeshëm të cilët deri më tani kanë shkaktuar vdekjen e 19 personave.
“Forcat ushtarake bëjnë përpjekje të mëdha për të ndihmuar banorët të kalojnë në zonat e larta të vendit ku do të furnizohen me ushqim”, tha për “Bangkok Post” zëdhënësi i ushtrisë, gjenerali Thai Sansern Kaewkamnerd.
Forcat e armatosura kanë hapur qendrat komanduese në mënyrë që të ketë një koordinim më efikas në drejtim të ndihmës për banorët, ndërkohë që secili guvernator krahinor i ka dhënë qeverisë 560.000 dollarë amerikan.
Departamenti i shtetit për parandalimin e fatkeqësive deklaroi sot se përmbytjet në Tajlandë kanë marrë 19 jetë njerëzish.
Nga 1 janari i këtij viti Tajlanda u kaplua nga një shi jashtëzakonisht i rrëmbyeshëm i cili që në ditën e parë detyroi evakuimin e 70 mijë banorëve.
Nga shirat e rrëmbyeshëm janë mbyllur shkollat, dëmtuar ura dhe rrugë, ndërsa kanë detyruar popullsinë të kërkojë strehim në qendrat e pritjes.
Edhe Malajzia fqinje u godit nga përmbytjet e rënda për shkak të shiut i cili akoma nuk ka zvogëluar intensitetin./Shenja