Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka shtruar sërish pyetjen përse ‘Escobari i Ballkanit’ Kelmend Balili nuk po arrestohet edhe pse është në kërkim prej disa muajsh.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Manjani ka sulmuar indirekt ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për faktin përse Balili është në arrati.
“Atë nuk e di unë. Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit”, ka thënë Manjani.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Megjithatë ju morët masa lehtësuese për përdoruresit dhe kultivuesit e vegjël, se kemi parë shpërndarës e kultivues të vegjël të dënuar ndërkohë që Klement Balili është i lirë, nuk mendoni se është padrejtësi.
Ylli Manjani: Ka plot padrejtësi të tilla. Një kryetar bashkie që është në burg tek Krimet e Rënda, se i kërkoi një vajze diçka dhe kemi dhe kryetar bashkie që kanë shit femra dhe janë në detyrë.
Sokol Balla: Po thoni për Elvis Rroshin?
Ylli Manjani: Unë bëra një përgjithësim, nuk merrem më çështje konkrete.
Sokol Balla: Si e keni përjetuar këtë debatin për dekriminalizimin a ka përgjegjësi PS?
Ylli Manjani: Unë nuk mendoj që partitë tona kanë patur përgjegjësi për përzgjedhjen e këtyre elementeve në lista, sepse kriteri ligjor në atë moment, ishte dëshmia e penalitetit. Rrugës u bë një ligj, që e kërkoi shumë më tepër. Por është pozitive sepse ndihmon për të pastruar politikën nga kjo.
Sokol Balla: Si ka mundësi që ja hedhin peshqit e mëdhenj gjithmonë, si Klement Balili?
Ylli Manjani: Edhe unë pyes sesi ka mundësi. Kam kërkuar që në 12 maj arrestimin e Klement Balilit.
Sokol Balla: Pse nuk u arrestua?
Ylli Manjani: Atë nuk e di unë. Unë nuk drejtoj Policinë e Shtetit. Është e vërtetë që ai ishte një zyrtar i propozuar nga ne dhe në atë kohë ne kemi bërë një distancim të qartë dhe të prerë.
Sokol Balla: Thonë që i janë bërë lehtësi atij për të mos e kapur?
Ylli Manjani: Ka thashetheme dhe lajme.
Sokol Balla: Ju jeni akuzuar se keni udhëtuar me të në Dubai?
Ylli Manjani: Do të më bëhej qejfi, por nuk kam qenë asnjëherë në Dubai.
Sokol Balla: Atëherë si doli gjithë kjo?
Ylli Manjani: Ka njerëz që duan të bëjnë lajme dhe në kohën e fundit janë shtuar shumë.