Majko i përgjigjet Nikoliç: Shqiptarët janë më të aftë në luftë se sa në paqe

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç ka deklaruar sot se Serbia është e gatshme ta dërgojë ushtrinë e saj në Kosovë, nëse popullata serbe në Kosovë rrezikohet.

Një deklaratë e tillë kërcënuese dhe provokuese në shekullin e 21-të kur dy vendet janë ulur në tavolinë për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit me gjithë historinë tragjike të së kaluarës për një të ardhme evropiane nuk i shërben aspak asnjërës prej tyre por as vetë Evropës.

Për këto deklarata ka ardhur reagimi i parë nga politika shqiptare. Bëhet fjalë për ish-kryeministrin shqiptar në kohën e luftës në Kosovë Pandeli Majko, i cili ka edhe një lidhje të veçantë me Kosovën, ndërsa ka edhe pasaportë kosovare.

Ai thotë në një status në Facebook, se dialogu është opsion i zgjidhjeve europiane dhe ka raport me të vërtetën e paqes që duan kombet në rajon

Majko ka edhe një përgjigje për kërcënimin e Nikoliç, kur thotë se shqiptarët kanë një të metë kombëtare: “Ata janë më të aftë në luftë se sa në paqe”.

DEKLARATA E MAJKOS

Serbia nëpërmjet deklarimeve të presidentit të saj ka deklaruar se “do të dërgojë ushtrinë” në Kosovë.

Një deklarim i tillë ka kohë që nuk dëgjohet nga politika serbe. Kjo mënyrë sjellje pati pasojë gjakosjen e rajonit dhe dërgoi në Gjykatën e Hagës lidershipin e Beogradit.

Të thuash dhe të bësh, janë dy gjëra të ndryshme në politikë. Historia ja ka dhënë serbëve dhe shqiptarëve mësimet e saj.

Dialogu është opsion i zgjidhjeve europiane dhe ka raport me të vërtetën e paqes që duan kombet në rajon. Kjo e vërtetë fton gjakftohtësinë të kuptojë. Politikan nuk të bën lufta. E kundërta është e vërtetë.

Trim nuk të bëjnë deklaratat e luftës. Kjo është po aq e vërtetë sa fakti se një tren nuk bëhet kishë me piktura fetare.

Të kuptuarit e luftës është akt dhe jo deklaratë. Kjo do pak mençuri në të kuptuar, e cila kombit serb, si rregull, nuk i ka munguar.

Për më tepër, shqiptarët kanë një të metë kombëtare. Ata janë më të aftë në luftë se sa në paqe. Sigurisht.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu