Gjatë vizitës së tij dy ditore në Iran, Ministri Bushati në takimet e nivelit të lartë, parashtroi kërkesën ndaj qeverisë së Iranit për njohjen e Kosovës, si një hap tejet i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit në rajonin e Europës Juglindore. Bushati takoi presidentin Rouhani, homologun e tij Zarif, kryetarin e Grupit Parlamentar të miqësisë Iran-Shqipëri, Kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Bujqësisë dhe Minierave si dhe Kryetaren e Agjencisë për Trashëgiminë Kulturore dhe Turizmin.
Gjatë takimit mes dy ministrave të jashtëm, palët nënshkruan një Memorandum mirëkuptimi për konsultimet diplomatike. Dy palët vlerësuan rëndësinë e vendosjes së kontakteve dhe inkurajuan shkëmbimin e informacioneve mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve. Ministrat shkëmbyen pikpamje dhe qëndrime rreth zhvillimeve ndërkombëtare, veçanërisht situatën në Lindjen e Mesme, luftën ndaj terrorizmit dhe nevojën për përpjekje të përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare për t’u përballur me këto sfida.