Policia turke ka arrestuar 113 persona, përfshirë protestues, aktivistë dhe gazetarë gjatë paradës LGBT të dielën në Stamboll. Kjo paradë u ndalua nga autoritetet turke si shumë ngjarje të tjera të muajit të Krenarisë LGBT në të gjithë vendin. Pas fitores së tij zgjedhore në maj, presidenti Erdogan sulmoi grupet LGBT dhe akuzoi opozitën se ishte pro-LGBT, duke premtuar një kushtetutë të re që do të mbështesë “vlerat familjare”.
Këtë vit Parada e Krenarisë së Stambollit, e organizuar në lagjen Sisli të qytetit, kishte për qëllim të arrinte në sheshin ikonik Taksim të qytetit. Disa ndërtesa në rrugë u dekoruan gjithashtu me flamuj ylber.
Por kjo paradë u ndalua nga Guvernatori i Stambollit dhe policia që bllokoi rrugët dhe nuk i lejoi ata të marshonin. Si rezultat i ndërhyrjes së policisë janë ndaluar dhe dërguar në Drejtorinë e Policisë 113 persona.
Policia gjithashtu pengoi gazetarët të mbulonin paradën duke i rrethuar pranë rrugës.
Një ndalim i ngjashëm u vendos edhe në Paradën e Krenarisë së Izmirit. Sipas raporteve të mediave lokale, dhjetëra u arrestuan në qytetin e tretë më të madh të Turqisë në bregdetin e Egjeut.
Por grupet LGBT njoftuan se aktivitetet do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji pavarësisht ndalimeve, kërcënimeve dhe presioneve nga zyrtarët e shtetit dhe të sigurisë.