Babë e bir, serbë, flasin për parullën “Kosova është zemra e Serbisë”- Djali: Babi, nëse Serbia ka zemër, a ka tru?

Kur erdha në shtëpi nga mbledhja e partisë, vogëlushi im ndali shikimin në mbishkrimin e fanellës sime.

– Babë, çka do të thotë kjo “Kosova është zemra e Serbisë?”.

– Paj, djali im, kjo do të thotë se Kosova është shumë e rëndësishme për Serbinë… – nisa t’ia shpjegoj. – Kosova është djepi ynë, ajo është pjesë e vendit tonë, e historisë sonë, atje janë kishat dhe manastiret tona…

– E pse në televizion një xhaxha tha se Kosova nuk është më Serbi? – më ndërhyri djali.

– Kosova gjithmonë do të jetë Serbi! Dhe nuk duhet të dëgjosh tradhtarët e kombit serb! – i reagova me tërbim.

Djali më shikoi me frikë dhe kujtova se me kaq e mbyllëm bisedën.

– A do të më çosh në Kosovë? – më pyeti papritmas.

– Paj, asi, mendoj, si të them, momentalisht ne nuk mund të shkojmë në Kosovë…

– E pse? – sërish më pyeti im bir.

– Paj, si të them, atje tani nuk ka siguri…

– E kur do të ketë atje siguri?

– Paj nuk e di, më vonë…

– A do të ketë siguri të dielën?

Më plasi durimi.

– As të dielën nuk do të ketë siguri, as të hënën! Dhe nuk ka gjasë që atje të shkojmë as në njëqind vjetët t ardhshme!

Djali im vetëm rrihte qepallat i befasuar.

Por nuk dorëzohej.

– E pse nuk mund të shkojmë në Kosovë nëse ajo është Serbi?

– Shumë po pyet, djali im, – e ula pak zërin. – Shko në dhomë dhe luaj atje! – ndërpreva diskutimin.

Djali doli me vrap, por papritmas u kthye.

– Babë, babë, të pyes edhe diçka… nëse Serbia ka zemër… a ka tru…?/koha.net


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu