Zgjidhje apo zgjedhje në Maqedoninë e Veriut?!

Nga: Naser Pajaziti

Koalicioni VLEN si pjesë e qeverisë aktuale në Maqedoninë e Veriut, po përballet me sfidën më të madhe që nga themelimi i tij.

Muaji prill solli tensione të hapura mes partive partnere, kryesisht për shkak të vendimit të Aleancës për Shqiptarët për të dalë me lista të ndara në zgjedhjet lokale. Ky veprim u pa si shkelje e marrëveshjeve politike dhe si një hap që mund të ndihmojë kundërshtarët politikë. Por nga ana tjetër, defokusoi zgjidhjet që kanë të bëjnë me çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në një kohë kur kemi punësime indirekte masive pa përfillur balancuesin dhe në prag të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për gjuhën shqipe.

Partnerët e VLEN-it po kërkojnë që ASH të largohet nga koalicioni dhe nga qeveria, duke e akuzuar atë për bashkëpunim me BDI-në. Largimi i ASH-së me 5 deputetët e saj do të dobësonte ndjeshëm shumicën qeverisëse në aspektin e përfaqësimit të shqiptarëve dhe jo numrat në total prej 64 që ka VMRO-DPMNE me ZNAM.

Për momentin, kryeministri Mickoski nuk ka marrë vendim përfundimtar. Ai ndodhet midis kalkulimeve dhe presionit për të ruajtur numrat në Kuvend në aspektin e përfaqësimit të shqiptarëve, sidomos çështjes së Badenterit, por edhe nevojës për të mbajtur një koalicion funksional dhe të besueshëm.

Muaji maj pritet të jetë vendimtar. Paralajmërimet për takime të reja dhe ristrukturime të mundshme brenda qeverisë tregojnë se shumëçka do të ndryshojë. Ose koalicioni do të konsolidohet përballë sfidave, ose do të nisë një proces tkurrjeje që mund ta çojë vendin drejt krizës së re politike.

Në çdo rast, VLEN dhe qeveria e Mickoskit do të duhet të bëjnë zgjedhje të vështira: të ruajnë unitetin me kompromis ose të ndjekin rrugën e përçarjes me pasoja të paparashikueshme.

Nëse ASH largohet nga qeveria, shumica parlamentare do të tkurret ndjeshëm dhe pyetja shtrohet: a do të ruhet stabiliteti institucional, apo vendi do të hyjë në një cikël të ri krize? Takimet e paralajmëruara pas majit mund të japin përgjigje, por deri atëherë, koalicioni VLEN është i ndarë mes dy alternativave të pakëndshme: të zgjedhë përjashtimin për të shpëtuar unitetin ose të përpiqet për një zgjidhje që mund të jetë vetëm përkohësisht funksionale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu