Disa e shohin si mjet pune, të tjerë – si këshilltar jetësor. Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, së fundmi ndau përshtypjet e tij mbi mënyrën se si gjenerata të ndryshme përdorin ChatGPT. Ai foli për këtë në ngjarjen AI Ascent të mbajtur së fundmi në SHBA.
“Është një përgjithësim i përafërt, por, le të themi, njerëzit më të moshuar e përdorin ChatGPT si zëvendësues për Google-in,” tha Altman.
Ai vuri re se përdoruesit në të njëzetat dhe të tridhjetat shpesh e përjetojnë atë si një këshilltar për jetën, ndërsa studentët e përdorin si një sistem operativ, sipas Business Insider.
“Ata vërtet e përdorin si një sistem operativ. Kanë mënyra të ndërlikuara se si e konfigurojnë atë për t’u lidhur me dokumente të ndryshme dhe mbajnë mend në kokë apo diku tjetër pyetje komplekse që i përdorin rregullisht,” shpjegoi Altman.
Ky i fundit theksoi se disa studentë shkojnë aq larg, sa që përdorin ChatGPT për të marrë vendime të rëndësishme në jetë.
“Ka raste ku ata nuk marrin vendime jetësore pa e pyetur më parë ChatGPT-në se çfarë duhet të bëjnë. Ai ka kontekst të plotë për çdo person në jetën e tyre dhe për çfarë kanë biseduar,” tha ai.
OpenAI bëri të ditur në shkurt se studentët në SHBA e përdorin ChatGPT më shumë se çdo grup tjetër.
Një studim nga Pew Research Center, i publikuar në janar 2024, tregoi se 26 për qind e adoleshentëve amerikanë të moshës 13 deri në 17 vjeç e kishin përdorur ChatGPT për detyrat shkollore, krahasuar me 13 për qind në vitin 2023.
Altman gjithashtu tha se ChatGPT shkruan një pjesë të madhe të kodit të OpenAI-t, megjithëse nuk dha një përqindje të saktë. Kjo do të thotë që edhe vetë inxhinierët e OpenAI e përdorin ChatGPT si një mjet ndihmës në programim, njësoj si shumë zhvillues të tjerë. /Telegrafi