Meghan dhe Harry, në shënjestër të talljeve të egra në shfaqje televizive

Që nga fillimi i lidhjes së tyre në vitin 2016, Princ Harry dhe Meghan Markle janë bërë objekt talljeje në shumë shfaqje të njohura televizive, që shpesh kanë vënë në lojë jetën dhe vendimet e tyre personale.

Seriali britanik “The Windsors” u tall me çiftin që në hapat e parë të romancës së tyre, duke ironizuar ambiciet e Meghan për famë dhe ndikimin e Harry-t në këtë drejtim.

Më pas, seriali i animuar “The Prince” në vitin 2021 i përshkroi ata si të papunë dhe të pavlerë për ekranin, ndërsa “South Park” u bë një nga më thumbuesit, me episodin “Turneu Global i Privatësisë”, ku dy personazhe që përfaqësonin çiftin qarkullonin nëpër botë duke kërkuar privatësi… ndërkohë që promovonin një libër personal, shkruan DailyMail.

Në “Family Guy”, çifti u portretizua duke marrë para nga Netflix pa bërë asgjë konkrete. Madje, edhe Trevor Noah, gjatë Çmimeve Grammy 2023, bëri shaka për përshkrimin famëkeq të Harry-t rreth një incidenti intim në kujtimet e tij “Spare”.

As Saturday Night Live nuk kurseu sarkazmën: një segment la të kuptohet se SHBA-të nuk i duan më çiftin, ndërsa u paraqitën si “shkëmbim tregtar” në marrëdhëniet Britani–SHBA.

Në sfondin e gjithë kësaj satire televizive, Harry ka vazhduar të flasë për distancimin nga familja mbretërore dhe betejat e tij ligjore për sigurinë në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, një sondazh i fundit tregon se ai mbetet ndër figurat më të pëlqyera mbretërore në SHBA – menjëherë pas vëllait të tij, William – ndërsa Meghan qëndron më poshtë në renditje. /Telegrafi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu