Shumica në OKB pro armëpushimit në Gaza – Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut qëndrojnë neutrale

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me shumicë dërrmuese për një rezolutë që kërkon armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe garantimin e aksesit të pakufizuar për ndihma humanitare për rreth dy milionë palestinezë që përballen me kushte të rënda humanitare për shkak të ofensivës izraelite.

Sipas gazetës franceze Le Monde, nga 193 shtete anëtare të OKB-së, 149 votuan në favor të rezolutës, 12 ishin kundër dhe 19 abstenuan. Mes vendeve që abstenuan ishin Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria – të vetmet nga rajoni që nuk mbështetën rezolutën.

Dokumenti, i hartuar kryesisht nga Spanja, dënon përdorimin e urisë si një metodë lufte dhe bën thirrje për mbrojtjen e civilëve.

Përpara votimit, ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, kundërshtoi fuqishëm tekstin e rezolutës, duke mohuar akuzat për përdorimin e urisë si armë lufte. Ai e cilësoi këtë pretendim si një “shpifje gjaku” dhe theksoi se Izraeli po lejonte shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza – në kundërshtim me vlerësimet e shumicës së organizatave humanitare që operojnë në terren.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu