Izraeli godet “zemrën” e programit bërthamor iranian! Vriten dy shkencëtarë të lartë në Teheran

Dy figura kyçe të shkencës iraniane, Mohammad Tehranchi dhe Fereydoon Abbasi-Davani, janë vrarë më 13 qershor në bastisje izraelite në Teheran, në një operacion që synoi jo vetëm objektiva fizikë, por edhe trurin e programit bërthamor të Iranit.

Lajmi u bë i ditur mes shpërthimeve të natës dhe ndërprerjeve të informacionit, ndërsa detajet që po dalin në dritë flasin për një goditje strategjike të thellë.

Operacioni ushtarak izraelit, ndryshe nga pritshmëritë, nuk kishte në shënjestër centralet bërthamore. Paralele me ndërhyrjet ajrore, shërbimi sekret izraelit Mossad kreu bastisje të koordinuara në Teheran dhe qytete të tjera, me objektivin për të eliminuar shkencëtarët dhe ushtarakët kyç të programit bërthamor.

Kush ishte Mohammad Tehranchi?

I lindur në vitin 1965, Tehranchi ishte një shkencëtar teoricien i specializuar në lazerë, plazmë dhe optikë të përparuar. Ai drejtonte Universitetin Azad, institucionin privat më të madh në botën islame.

Me arsimim në Rusi dhe kontribut të gjerë akademik ndërkombëtar, ai kishte luajtur një rol të rëndësishëm edhe në projektet strategjike të Iranit në fushën e kërkimit ushtarak dhe bërthamor. Tehranchi konsiderohej një figurë e besueshme dhe qendrore në aparatin shkencor dhe institucional të vendit.

Kush ishte Fereydoon Abbasi-Davani?

Një nga emrat më të njohur në botën e shkencës ushtarake iraniane, Abbasi ishte fizikant bërthamor, ish-drejtues i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit, deputet konservator dhe brigadier në Gardën Revolucionare (IRGC).

Ai kishte mbijetuar një atentat në vitin 2010, kur një bombë magnetike shpërtheu në makinën e tij. Por këtë herë, ai nuk ia doli. Sulmi i 13 qershorit e zuri në shtëpinë e tij, ku mbeti i vrarë.

Vdekja e këtyre dy figurave përfaqëson një goditje të madhe për kapacitetet shkencore dhe bërthamore të Iranit, duke thelluar më tej tensionet në rajon.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu