Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes një komunikate zyrtare, ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masa konkrete për të rritur efikasitetin energjetik dhe për të promovuar përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në institucionet arsimore. Në këtë drejtim, gjatë muajve të verës, në 50 shkolla në mbarë vendin do të instalohen sisteme fotovoltaike.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar një marrëveshje për një grant të pakthyeshëm prej 1.1 milion eurosh me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, e cila do të përdoret për këto investime në energjinë e pastër.
“Nëpërmjet këtij investimi do të realizohen kursime të konsiderueshme buxhetore, të cilat më pas mund të riinvestohen në projekte infrastrukturore, tekste shkollore dhe mjete ndihmëse digjitale për nxënësit,” thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Përveç përfitimeve ekonomike, ky projekt synon të kontribuojë edhe në uljen e ndotjes së mjedisit, duke u bërë një shembull pozitiv i tranzicionit drejt energjisë së gjelbër në sektorin publik.