Presidenti i Izraelit ka folur për gazetaren Laura Kuenssberg të BBC-së, duke e cilësuar sulmin amerikan ndaj Iranit si një vendim “historik” dhe “guximtar”.
Kur u pyet nëse kapacitetet bërthamore të Iranit janë eliminuar plotësisht, Isaac Herzog u përgjigj se nuk ka informacion të plotë, por sipas tij, “është mjaft e qartë që programi bërthamor iranian është goditur në mënyrë substanciale”.
I pyetur nëse Izraeli i kishte kërkuar drejtpërdrejt Presidentit Trump që ta sulmonte Iranin, Herzog tha: “Vendosëm t’ua lëmë këtë çështje amerikanëve”, dhe shtoi se nuk kishte dijeni paraprake për sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane.
“U zgjova nga gjumi kur ndodhi”, tha ai.
Kur Kuenssberg e pyeti nëse Izraeli do t’i ndalë tashmë sulmet ndaj Iranit, Herzog nuk dha një përgjigje të prerë. Ai u mjaftua me të thënë se Irani po lëshon raketa ndaj territorit izraelit dhe se “ne duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta mbrojtur veten”.
“Mënyra për ta trajtuar këtë situatë është, natyrisht, përmes një angazhimi ndërkombëtar dhe për të siguruar një strategji daljeje”, përfundoi presidenti izraelit.