Katari paralajmëron hakmarrje ndaj Iranit pas sulmit raketor

Irani ndërmori sot një sulm me raketa ndaj bazës ajrore amerikane Al-Udeid në Katar, ku ndodhen të stacionuara forca të shumta të SHBA-së dhe NATO-s. Autoritetet në Katar e kanë konfirmuar sulmin, duke e cilësuar si një “shkelje flagrante të sovranitetit”, ndërsa si masë paraprake është mbyllur përkohësisht hapësira ajrore e vendit.

Sulmi përfshiu lëshimin e rreth 10 raketave balistike nga Irani, çka ngriti menjëherë alarmin në të gjithë rajonin e Gjirit. Si reagim, avionë luftarakë amerikanë nga baza ajrore “Prince Sultan” në Arabinë Saudite u ngritën në ajër, ndërkohë që sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit u aktivizuan menjëherë.

Sipas autoriteteve të Katarit, 9 nga 10 raketat u interceptuan dhe asnjëra nuk ka shkaktuar viktima apo dëme materiale. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed Al Ansari, përmes një reagimi në rrjetin “X”, bëri të ditur se Katari po shqyrton seriozisht mundësinë e një kundërpërgjigjeje.

“Katari rezervon të drejtën për të reaguar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe proporcionale ndaj këtij akti agresiv, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Mbrojtjes Pepe Hegseth ndodhen aktualisht në Dhomën e Operacioneve të Shtëpisë së Bardhë, ku po ndjekin nga afër zhvillimet në Lindjen e Mesme. Situata mbetet shumë e tensionuar, me rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm mes Iranit dhe aleatëve perëndimorë në rajon.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu