Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kritikuar ashpër mediat amerikane për raportimet e tyre se bombardimet amerikane nuk kanë arritur t’i shkatërrojnë objektet bërthamore të Iranit, siç kishte pretenduar ai.
“CNN-i i lajmeve të rrejshme, së bashku me New York Times-in që po dështon, janë bashkuar në një përpjekje për të përulur një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Objektet bërthamore në Iran janë shkatërruar plotësisht! Si Times ashtu edhe CNN po goditen rëndë nga publiku”, shtoi Trump.
Një vlerësim fillestar i inteligjencës gjeti se bombardimet e fundjavës nuk arritën t’i shkatërrojnë centralet bërthamore të Iranit, të ndërtuara nën tokë, raportuan New York Times, Washington Post dhe CNN, duke cituar zyrtarë të njoftuar me raportin e inteligjencës ushtarake nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së Pentagonit (DIA).
Trumpi ka këmbëngulur se bombardimet amerikane shkatërruan objektet bërthamore në Isfahan, Natanz dhe Fordo.
Ai i përshkroi sulmet si goditje vdekjeprurëse për programin bërthamor të Iranit.
Por, raporti i DIA-s tha se vetëm hyrjet e objektit thellësisht nëntokësor në Fordo u shkatërruan, ndërsa strukturat nën tokë mbetën të paprekura, sipas mediave amerikane.
Raporti pesëfaqësh gjithashtu tregon se Irani kishte zhvendosur tashmë rezervat e uraniumit të pasuruar në vende të tjera para sulmeve, sipas mediave amerikane.
Raportet gjithashtu vlerëson se bombardimet amerikane e kanë kthyer vetëm disa muaj mbrapa programin bërthamor të Iranit.
Më herët, zëdhënësja e Trumpit, Karoline Leavitt, e dënoi publikimin e raportit, për të cilin tha se ishte rrjedhur në CNN, që e raportoi i pari, nga një “humbës i ulët në komunitetin e inteligjencës”.
Ajo e quajti vlerësimin “plotësisht të gabuar”.
“Të gjithë e dinë çfarë ndodh kur hidhen 14 bomba me nga 13.000 kilogramë secila saktësisht mbi cak: shkatërrim total”, shtoi ajo.