Thirrje e fuqishme nga SHBA: Mjaft me bllokada, Qeveria të formohet menjëherë!

Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane me seli në Uashington po ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë dhe mbetet fuqimisht i përkushtuar për të mbështetur çdo përpjekje që forcon institucionet demokratike të vendit dhe pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës — veçanërisht partneritetin e saj të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell INA.

Në një deklaratë të publikuar sot, Këshilli shpreh shqetësimin e thellë për bllokimin politik të vazhdueshëm dhe dështimin për konstituimin e Kuvendit sipas vullnetit të qytetarëve. “Kjo paralizë institucionale është e pajustifikueshme. Ajo minon besimin publik, dobëson shtetin dhe e lë Kosovën të ekspozuar në një ambient global gjithnjë e më të paqëndrueshëm,” thuhet në deklaratë.

Këshilli përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vlerëson vullnetin e aktorëve politikë për ta pranuar atë si rrugëdalje legjitime. “Kosova ka një traditë krenare të respektimit të shtetit ligjor dhe autoritetit kushtetues — ky moment kërkon të njëjtën përkushtim.”

Me këtë rast, Këshilli i bën thirrje të gjitha partitë parlamentare që të shkojnë në seancën e radhës me ndjenjën e urgjencës dhe unitetit, dhe të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë pa vonesa. “Vendi duhet të ecë përpara,” është mesazhi i prerë.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është thelbësore — por ajo kërkon qeverisje efektive dhe koordinim të vazhdueshëm. Institucionet e Kosovës duhet të tregojnë pjekuri dhe qartësi në këtë moment vendimtar,” vijon më tej reagimi.

Në fund, Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane rikonfirmon përkushtimin e tij për të shërbyer si një urë lidhëse mes Kosovës dhe SHBA-ve, dhe për të amplifikuar zërin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu