Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike kanë thënë se në tri vazhdimet e fundit të seancës së Kuvendit janë bërë shkelje kushtetuese në kundërshtim me aktgjykimin e fundit të Kushtetueses rreth ngërçit parlamentar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se PDK-ja sot do të dorëzojë një rast të ri në Kushtetuese në lidhje më këtë shkelje, që kreu i PDK-së e quajti të qëllimshme nga ana e VV-së.
“Pasi kanë ndodhur tri shkelje në tri seanca me radhë, në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses, sot, gjatë ditës PDK do të dorëzojë në Kushtetuese një rast të ri, për të cilin shpresojmë se do ta trajtojmë me urgjencën e nevojshme, meqenëse tashmë i kemi vetëm 23 ditë në përmbyllje të afatit të Kushtetueses”, tha Krasniqi para mediave.
Kushtetueses paralajmëruan se do t’i drejtohen edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj tha se po e përgatisin lëndën “për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese”, pasi konsiderojnë se kryesuesi i seancës dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, po e shkelin Kushtetutën pas aktgjykimit të fundit.
Aktgjykimi, Zogaj tha se është “i qartë”, ndërsa tha se krijimi i një shumice brenda Kuvendit është “emergjent”.
“Është shumë me rëndësi, emergjente që të krijohet një shumicë politike, por brenga dhe shqetësimi jonë i madh është që nuk ka përpjekje dhe nuk ka lëvizje nga qëndrimet absurde të grupit më të madh politik për të shkuar kah shumica politike”, tha ai.
Në anën tjetër, edhe nga Lëvizja Vetëvendosje kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve opozitarë në votime.
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari tha se interpretimi aktual i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka komplikuar më shumë situatën në vend që ta sqarojë, ndërsa theksoi se votimi në seancë është obligim.
“Nuk e kemi leximin e njëjtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues, është e qartë që jo që ka sqaruar, por ka komplikuar rrethanat një interpretim i tillë, ndërsa synimi i tretë është e mëse e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale tashmë në mospjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare. Votimi në seancë është obligim. Ne po e përgatisim që t’i drejtohemi gjykatës për mosvotimin e deputetëve opozitare për mos pjesëmarrje në votim”, tha ajo të martën.
Partitë parlamentare nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten e kaluar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.
Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti pati të shtunën me krerët e partive të tjera parlamentare.
Në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, u angazhua sërish presidentja Osmani. Osmani i priti të mërkurën Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.
Në takim, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit.