Zvicra feston ditën e saj kombëtare, historia sesi u krijua shteti i pasur

Zvicra sot me 1 gusht kremton Ditën e saj Kombëtare, një ngjarje që përkujton themelimin e Konfederatës Zvicerane siç e njohim sot.

Rrënjët e këtij shteti modern shtrihen që në vitin 1291, kur tre kantone malore – Uri, Schuyz dhe Unterualden – bashkuan forcat dhe nënshkruan një marrëveshje të njohur si Karta Federale. Ky dokument u hodh në letër në një kohë kur këto tre zona kërkonin të mbroheshin nga kërcënimet e jashtme dhe sundimi i huaj.

Legjenda thotë se një grup burrash të vendosur dhe të përkushtuar ndaj lirisë, u mblodhën në livadhin e Rutlit, pranë liqenit të Lucernit, ku dhanë një betim për besnikëri dhe aleancë të ndërsjellë.

Edhe pse Karta Federale daton në fundin e shekullit XIII, ajo u zbulua vetëm në vitin 1758. Vetëm në fund të shekullit XIX, autoritetet zvicerane e shpallën këtë dokument si bazën mbi të cilën ishte ngritur shteti i tyre.

Festa e 1 Gushtit u organizua për herë të parë në vitin 1891, por vetëm nga viti 1899 filloi të festohej çdo vit. Më në fund, në vitin 1993, qytetarët zviceranë votuan që kjo datë të shpallej festë zyrtare kombëtare dhe që nga viti 1994 ajo u njoh edhe si ditë pushimi.

Sot, kjo ditë festohet me shumë entuziazëm, si brenda kufijve të Zvicrës ashtu edhe nga komunitetet zvicerane jashtë vendit. Tradita të zakonshme përfshijnë ndezjen e zjarreve simbolike, hedhjen e fishekzjarrëve dhe përdorimin e fenerëve prej letre që ndriçojnë natën festive.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu