Donika Bakiu, zëri akademik që ndërton ura përmes dijes

Intervistë me Donika Bakiun: Zëri akademik që ndërton ura përmes dijes

Infoshqip: Donika, së fundmi keni botuar punimin tuaj të 32-të shkencor. A mund të na tregoni pak për temat që keni trajtuar?

Donika Bakiu: Po, me shumë kënaqësi. Punimi im i 31-të u botua në Critical Journal of Social Sciences në Spanjë dhe trajtonte përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, me fokus të veçantë në gjuhën shqipe dhe politikat gjuhësore. Ndërsa punimi i 32-të, i cili u përfshi në librin “Zhvillimet aktuale në edukim dhe arsim”, trajton rolin e grave në arsim në rajonin e Pollogut – një temë shumë aktuale dhe e rëndësishme për zhvillimin shoqëror.

Gazetari: Këto tema janë mjaft të ndjeshme dhe komplekse. Çfarë ju motivon të hulumtoni në këto fusha?

Donika Bakiu: Motivimi im buron nga realiteti ynë social dhe nevoja për të dhënë zë çështjeve që shpesh mbeten në hije. Gjuha dhe arsimi janë dy shtylla kyçe për identitetin dhe zhvillimin e një shoqërie. Si shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndjej një përgjegjësi të veçantë për të kontribuar në mënyrë profesionale në këto fusha.

InfoShqip: Ju keni botuar punime shkencore që nga studimet deridiplomike. Si e shihni rrugëtimin tuaj akademik deri tani?

Donika Bakiu: Rruga ka qenë intensive, por shumë e pasur. Hulumtimi dhe publikimi janë procese që kërkojnë përkushtim, por më japin edhe shumë kënaqësi, sepse përmes tyre mund të kontribuoj në diskutimet akademike dhe shoqërore. Jam mirënjohëse për çdo bashkëpunim e mbështetje që kam pasur gjatë këtij udhëtimi.

InfoShqip: Cilat janë planet tuaja të ardhshme në fushën e kërkimit shkencor?

Donika Bakiu: Aktualisht kam disa projekte në zhvillim, veçanërisht në fushën e arsimit. Qëllimi im është të vazhdoj të trajtoj tema që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet dhe që kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. Ndër planet afatmesme është edhe një studim më i gjerë i mbështetur në bashkëpunim me bibliotekat kryesore të vendit, si dhe shtrirja e kërkimeve në bashkëpunim me bibliotekat në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo do të krijojë një perspektivë më të gjerë rajonale dhe do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve shqiptare në tërësi përmes librit.

Infoshqip: Çfarë sfidash keni hasur gjatë rrugëtimit tuaj akademik dhe çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që duan të ndjekin një rrugë të ngjashme?

Donika Bakiu: Sfida ka pasur shumë që nga mungesa e burimeve të mjaftueshme për kërkime shkencore.Por përkushtimi dhe dashuria për dijen më kanë udhëhequr gjithmonë përpara.

Këshilla ime për të rinjtë është: mos u dorëzoni përballë vështirësive dhe mos ndaloni kurrë së mësuari. Kërkimi shkencor nuk është vetëm profesion, por mision. Mësoni të kërkoni, të pyesni dhe të mendoni në mënyrë kritike sepse vetëm kështu mund të jepni një kontribut të vërtetë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu