Thirrjet antishqiptare, Fetai: Ne dënuam dhe vepruam, nuk manipuluam, ndryshe nga ata

Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar ashpër lidhur me brohoritjet nacionaliste dhe shpërthimet ksenofobe të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedonia e Veriut – Rumani, duke theksuar se tashmë nuk do të tolerohet më asnjë shkelës i ligjit, pavarësisht përkatësisë.

Ja reagimi i tij i plotë:

“Tanimë të gjithë, duke filluar nga Kryeministri, zyrtarët e lartë të koalicionit VLEN, Komuna e Kumanovës dhe FBMV, dënuan qartë dhe zëshëm brohoritjet nacionaliste dhe shpërthimet ksenofobe gjatë ndeshjes së basketbollit Maqedonia e Veriut – Rumani.

Këtu duhet theksuar se nga viti 2004, Maqedonia e Veriut ka një Ligj për parandalimin e dhunës dhe sjelljes së papërshtatshme në ngjarjet sportive, i cili ngarkon federatat sportive dhe institucionet me detyrime të qarta, si dhe parashikon gjoba nga 500 deri në 1,000 euro dhe ndalim deri në 3 vjet për individët që nxisin urrejtje, racizëm ose intolerancë.

Por në këto 21 vjet, sa gjoba apo ndalime janë shqiptuar për qindra rastet e shkeljeve të tilla nga individë të mbushur me urrejtje ndaj tjetrit? Asnjë.

Sa herë pushteti, pavarësisht përkatësisë, ka folur kaq qartë dhe zëshëm kundër ksenofobisë në sport? Asnjëherë.

Dhe e dini pse? Sepse ata që ishin para nesh, të gjithë pa përjashtim, përfshirë prokurorët dhe gjyqtarët politikë të emëruar përmes telefonit bashkë me Sasho Mijallkov, i mbyllnin sytë dhe veshët për të fituar ndonjë votë nga shfaqjet nacionaliste në mënyrë që të vazhdonin t’i mbushin xhepat me paratë e tenderëve dhe korrupsionit.

Kjo Qeveri ka zgjedhur një rrugë tjetër. Ne mbështesim dialogun dhe tolerancën në vend të mosdurimit dhe urrejtjes. Në vend të manipulimit me ndjenjat kombëtare, ne promovojmë shtetin e së drejtës dhe kërkojmë hetime dhe sanksione për çdo shkelës të ligjit, pa dallim përkatësie. Ky është dallimi midis nesh dhe atyre. Dhe ky është zotimi ynë për një Maqedoni të Veriut të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu