Tarifat e Trump mund të shkaktojnë recesion në Zvicër? Autoritetet të hapura për të rishikuar ofertën

Qeveria zvicerane është e hapur për të rishikuar ofertën e saj ndaj Shteteve të Bashkuara, si përgjigje ndaj tarifave të larta të planifikuara, deklaroi ministri i Biznesit, Guy Parmelin, shkruan Reuters. Ekspertët paralajmëruan se tarifat doganore prej 39% të shpallura nga presidenti Donald Trump mund të shkaktojnë një recesion në Zvicër.

Zvicra mbeti e tronditur të premten pasi Trump e goditi vendin me njërën nga tarifat më të larta në kuadër të riorganizimit të tregtisë globale, ndërkohë që shoqatat e industrisë paralajmëruan për rrezikun e humbjes së dhjetëra mijëra vendeve të punës.

Presidenti Trump nënshkroi të enjten një urdhër ekzekutiv që vendos tarifa për shumë partnerë tregtarë të SHBA-së, një hap i rëndësishëm në agjendën e tij tregtare që do të testojë ekonominë globale dhe aleancat, dhe që hyn në fuqi javën e ardhshme. Ky urdhër prek 66 vende, Bashkimin Evropian, Tajvanin dhe Ishujt Falkland.

Në Zvicër, autoritetet nuk arritën një marrëveshje përfundimtare me SHBA-në pasi Trump në prill paralajmëroi një tarifë prej 31%. Tani, kompanitë zvicerane do të përballen me një nga tarifat më të larta të eksportit — 39%, një nivel pak më i ulët se Laos, Myanmar dhe Siria, me tarifa 40-41%. Ndërkohë, Bashkimi Evropian dhe Britania arritën të sigurojnë tarifa prej 15% dhe 10%.

Kjo shifër u prit me habi në Zvicër, sidomos sepse negociatorët kishin arritur një marrëveshje muajin e kaluar, që duket se nuk u miratua nga Trump vetë. Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter tha: “Do të analizojmë situatën dhe do të kërkojmë zgjidhje. Nuk mund të parashikojmë rezultatin, por kjo do të dëmtojë ekonominë.”

Deficiti tregtar i SHBA-së me Zvicrën ishte 38.5 miliardë dollarë në 2024, një rritje prej 56.9% nga viti 2023. Keller-Sutter beson se tarifa 39% u vendos për t’u përputhur me këtë shifër.

Kompani të orëve zvicerane, që zakonisht shesin produkte me çmime shumë të larta, do të preken rëndë nga këto tarifa, sidomos pasi Zvicra kishte hequr tarifat për mallrat industrialë në 2024. Federata e Industrisë së Orëve tha se kjo situatë është një problem serioz për marrëdhëniet bilaterale.

Eksportet zvicerane të orëve po përballen me ngadalësim të gjatë në tregjet e SHBA-së, Japonisë dhe Hong Kongut. Kompanitë si Swatch dhe Rolex nuk komentuan mbi situatën, ndërsa përfaqësuesit e Patek Philippe, IWC dhe Breitling nuk iu përgjigjën kërkesave për deklaratë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu