Të paktën 68 migrantë kanë humbur jetën pasi një barkë me rreth 157 persona në bord u mbyt në brigjet jugore të Jemenit, për shkak të motit të keq.
Ngjarja ndodhi të dielën, në provincën jugore Abyan, konfirmoi për BBC-në kreu i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Jemen, Abdusattor Esoev. Deri tani janë shpëtuar vetëm 12 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë konsiderohen ende të zhdukur. Sipas IOM-it, shumica e viktimave dyshohet të jenë shtetas etiopianë.
Jemeni është një nga rrugët kryesore për migrantët nga Briri i Afrikës që përpiqen të arrijnë në vendet e Gjirit për të kërkuar punë. IOM vlerëson se qindra persona kanë humbur jetën apo janë zhdukur në përpjekje të ngjashme gjatë muajve të fundit.
Zyrtarë të sigurisë në Abyan thanë se është nisur një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi dhe se trupat e pajetë janë gjetur në një zonë të gjërë përgjatë bregdetit.
Kreu i IOM-it në Jemen, Abdusattor Esoev, deklaroi se barka ishte duke ndjekur një nga rrugët më të rrezikshme që përdoren shpesh nga trafikantët e qenieve njerëzore.
Ai theksoi nevojën për forcimin e mekanizmave ligjorë për të mbrojtur migrantët dhe për të parandaluar që ata të bien pre e trafikantëve.
“Ajo që ne i bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare, është të përmirësojnë rrugët e rregullta të migrimit, në mënyrë që njerëzit të udhëtojnë ligjërisht, e jo të mashtrohen apo të detyrohen të ndjekin rrugë të rrezikshme,” tha Esoev.
IOM e ka përshkruar më herët rrugën nga Briri i Afrikës që përfshin Somalinë, Xhibutin, Etiopinë dhe Eritrenë drejt Jemenit, si një nga korridoret më të ngarkuara dhe më të rrezikshme të migrimit të përzier.
Në mars të këtij viti, dy barka me mbi 180 migrantë u mbytën në brigjet e rrethit Dhubab në Jemen, për shkak të detit të trazuar. Vetëm dy anëtarë të ekuipazhit arritën të mbijetojnë.
Sipas një raporti të IOM-it, migrantët që mbërrijnë në pikat e ndihmës në Jemen kanë raportuar se trafikantët janë bërë gjithnjë e më të pamëshirshëm, duke nisur qëllimisht barka në kushte të rrezikshme për të shmangur patrullat.
Megjithë rreziqet, fluksi i migrantëve vijon. Vetëm gjatë vitit 2024, mbi 60 mijë emigrantë kanë mbërritur në Jemen.
Sipas Projektit të Migrantëve të Zhdukur të IOM-it, gjatë dhjetë viteve të fundit janë regjistruar mbi 3 mijë e 400 viktima dhe persona të zhdukur përgjatë kësaj rruge, nga të cilët rreth 1,400 kanë humbur jetën nga mbytja në det.
Jemeni vijon të jetë i përfshirë në një luftë civile shkatërrimtare që zgjat prej më shumë se një dekade. Që prej vitit 2014, grupi i Houthive të mbështetur nga Irani ka marrë kontrollin e pjesës më të madhe të veri-perëndimit të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana’a, duke rrëzuar qeverinë e njohur ndërkombëtarisht.