Prej disa muajsh Serbia është përfshirë nga një valë protestash të gjera, të udhëhequra kryesisht nga të rinjtë, të cilët po shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe mënyrës së menaxhimit të situatave sociale, ekonomike dhe politike në vend. Këto protesta kanë marrë përmasa të mëdha, duke u shndërruar në një pikë kthese për të ardhmen politike të Serbisë. Situata nuk po kalon pa vëmendje nga aktorët ndërkombëtarë: Bashkimi Evropian, nga njëra anë, e sheh si një mundësi për të afruar më shumë Beogradin me strukturat evropiane, ndërsa Rusia, nga ana tjetër, shfaq shqetësim se këto zhvillime mund të shndërrohen në një “Maidan serb”, të ngjashëm me atë që ndodhi në Ukrainë në vitin 2014.
Paralajmërimi
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) njoftoi se Bashkimi Evropian qëndron pas “trazirave në Serbi” në të cilat marrin pjesë të rinjtë dhe se përvjetori i rënies së tendës më 1 nëntor do të përdoret për të përfunduar “Maidanin serb”. Shërbimi i Jashtëm Rus ka përpiluar një listë të mediave të pavarura që janë të angazhuara në “shpëlarjen e trurit të të rinjve serb”, raporton N1. “Trazirat aktuale në Serbi, me pjesëmarrjen aktive të të rinjve, janë kryesisht produkt i aktiviteteve subversive të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të asaj aleance. Qëllimi i rrymës kryesore liberale evropiane është të sjellë në pushtet në këtë vend më të madh ballkanik një lidership të bindur besnik ndaj Brukselit”, deklaroi SVR në një deklaratë të botuar në faqen e saj të internetit.
Ndikimi i elitave europiane
SVR shton se “duhet pranuar” se euro-elitat mund të bëjnë shumë sepse, siç theksojnë ata, të rinjtë po radikalizohen dhe “po kalojnë nga protestat paqësore në metoda ‘revolucionare’ të luftës dhe dhunës”. Agjencia e inteligjencës përgjegjëse për aktivitetet e spiunazhit jashtë Rusisë thotë më tej se skenari i provuar dhe i testuar i një “revolucioni me ngjyra” në Serbi nuk po jep rezultatet e pritura dhe se arsyeja kryesore për këtë janë ndjenjat patriotike, ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe, si dhe kujtimi i bombardimeve të NATO-s. “Euroelitat synojnë të përdorin përvjetorin e ngjarjeve tragjike në Novi Sad më 1 nëntor, të cilat u bënë shkas për veprime protestuese, me qëllim që ta ‘ndryshojnë’ situatën në favor të tyre. Fokusi është në ‘larjen e trurit’ të të rinjve serbë dhe promovimin e të ashtuquajturës ‘e ardhme e ndritur evropiane’”, shtuan ata nga Moska.
Akuzat
Shërbimi rus akuzoi median e pavarur për “larje truri të të rinjve”, duke theksuar se pavarësia e tyre forcohet nga paratë evropiane. “Sipas të dhënave të marra, portalet serbe të informacionit FoNet, RAM Network, Vreme, Juzhne vesti, Slobodna reč, Boom93, Podrinske, Freemedia, Inđija, SOinfo, FAR, Storyteller, si dhe OJQ-ja Link, marrin mbështetje të konsiderueshme financiare përmes organizatave joqeveritare të lidhura me Brukselin”, thuhet në deklaratë. Qëllimi, siç u tha, është të përfundohet “Maidani serb”. Mesazhi nga Moska për publikun serb është se euroburokratët bëjnë premtime të rreme për “hyrjen së shpejti në kopshtin evropian që lulëzon”, gjë që, sipas tyre, është “vetëm karrem”. Në një deklaratë publike, e cila është lexuar në mediat pro-regjimit, oficerët e inteligjencës ruse thonë se “populli krenar dhe i bashkuar serb nuk ka nevojë për Bashkimin Evropian”.
“Maidani serb”
Frazën “Maidani serb” e përdorin autoritetet ruse për të përshkruar një mundësi të mundshme për një ndryshim radikal të qeverisë në Serbi, njësoj siç ndodhi në Ukrainë në vitin 2014 me “Maidanin” e famshëm. Në atë kohë, protestat masive të popullit ukrainas çuan në rrëzimin e një qeverie pro-ruse dhe i dhanë fund afërsisë që ky vend kishte me Moskën. Përdorimi i kësaj fraze nga Rusia nënkupton se Moska e sheh çdo mundësi për destabilizim të ngjashëm në Serbi si një kërcënim për interesat e saj, dhe përpiqet ta minojë këtë mundësi duke e etiketuar si një skenar të financuar dhe orkestruar nga BE, për të pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në rajon./Marsela SHYTIA/