Ukraina po përballet me një nga momentet më vendimtare të luftës. Pas muajsh përgatitjesh dhe zhvendosjesh strategjike, mbi 150 mijë trupa ruse po përqendrohen rreth qytetit të fortifikuar të Pokrovskut, në zemër të Donetskut. Kremlini ka vënë në gatishmëri brigada të tëra tankesh e këmbësorie, ndërsa brigada të reja ukrainase, si ajo e 156-ta e mekanizuar, janë vendosur me urgjencë në vijën e parë për të ndalur ofensivën. Analistët paralajmërojnë se beteja e ardhshme nuk do të jetë thjesht një tjetër përplasje, por një betejë e madhe, përfundimtare dhe shumë më e përgjakshme se të gjitha të mëparshmet.
“Beteja e fundit”
Ushtria ukrainase formoi Brigadën e 156-të të Këmbësorisë në pranverën e vitit 2024. Menjëherë pas kësaj, ajo u shndërrua në një brigadë të mekanizuar me automjete të blinduara shtesë. Gjatë vjeshtës dhe dimrit, brigada rekrutoi dhe trajnoi mijëra ushtarë dhe këtë verë u vendos në fushën e betejës në rajonin Sumy të Ukrainës veriore. Tani Brigada e 156-të e Mekanizuar është midis numrit në rritje të trupave ukrainase që po nxitojnë në jug drejt rajonit të Donetskut për t’u përballur me një masë ushtarësh dhe tankesh ruse të gatshme për të sulmuar qytetin e fortifikuar të Pokrovskut. Operatori ukrainas i droneve e përshkroi atë si “beteja e fundit, përfundimtare”, shkruan Euromaidan Press. Vetëm muajin e kaluar, Brigada e 156-të mbajti vijën e frontit në rajonin e Sumy-t së bashku me brigadat e tjera të Korpusit të 18-të të ri të Ushtrisë.
Qindra mijëra ushtarë në gatishmëri
Por, pasi humbi luftimet rreth Pokrovskut në javët e fundit, Kremlini mori një vendim. Në vend që të hiqte dorë nga Pokrovsku, ai vendosi të dyfishonte përpjekjet e tij dhe të sillte një sasi të madhe përforcimesh rreth qytetit për një ofensivë të fuqishme me tanke. Të paktën pesë brigada dhe regjimente detare dhe të aviacionit rus, si dhe një regjiment tankesh, një regjiment këmbësorie dhe dy brigada të motorizuara janë transferuar tashmë ose po transferohen nga Oblasti i Sumit në Pokrovsk. Ato pasohen nga një divizion i motorizuar nga rajoni i Khersonit në jug. Ata i bashkohen ushtrisë ekzistuese ruse që ka rrethuar Pokrovskun dhe qytetet përreth për muaj të tërë. Sipas të dhënave të fundit të inteligjencës, 150,000 ushtarë rusë u mblodhën rreth Pokrovskut.
Paralajmërimi
Beteja e ardhshme “do të jetë më e madhe dhe më e përgjakshme” sesa betejat e këmbësorisë që kanë qenë të shpeshta rreth Pokrovskos këtë vit, paralajmëroi analisti finlandez Joni Askola. Do të jetë detyrë e trupave ukrainase të sapoardhura, siç është Brigada e 156-të e Mekanizuar, të ndalojnë forcat shumë më të forta ruse. Brigada e 156-të e Mekanizuar e Ukrainës u zhvendos drejt Donetskut muajin e kaluar, sipas Njësisë Observer. Ajo iu bashkua Korpusit të 1-rë të Gardës Kombëtare të Azovit dhe njësive të tjera që nxituan drejt Pokrovskut në fillim të gushtit për të ndaluar dhe më pas për të sprapsur një inkursion të këmbësorisë ruse që kërcënoi për një kohë të shkurtër një nga dy linjat kryesore të furnizimit të qytetit.
“Vrasëset e tankeve”
Krahasuar me këto forca elitare zbarkimi, Brigada e 156-të është një njësi e “klasës punëtore”. Ajo është e pajisur me tanke T-64BV, automjete BMP-1TS me topa të rinj 30 mm, transportues personeli me zinxhirë M-113, transportues personeli me rrota të modernizuar BTR-60D, kamionë të blinduar Kozak dhe obusë M-109. Brigada e 156-të pritet të gërmojë dhe të përgatitet për sulme me tanke. Brigadat më të vjetra ukrainase rreth Pokrovskut janë tashmë të provuara si “vrasëse të tankeve”, kështu që edhe ushtarët relativisht të papërvojë të brigadës së 156-të duhet të zotërojnë shpejt taktikat standarde. Deri më tani, rusët janë përballur me mina, artileri, raketa antitank dhe, ndoshta mbi të gjitha, me dronë dhe bombardues vetëvrasës. Tani ata po mbështeten në sulmet me tanke për të kthyer betejën për Pokrovskun. Ukrainasit, nga ana tjetër, besojnë se do t’i shkatërrojnë tanket në të njëjtën mënyrë si më parë./Marsela SHYTIA/