Sonte në Dibër fillon edicioni i 24-të i Festivalit “Teatri Shqiptar në RMV”, festivali do të jetë i mbushur me supriza

Duke filluar prej sonte më 23 shtator deri më 30 shtator me fillim nga ora 19:00, te Shtëpia e Kulturës në Dibër, do të mbahet edicioni i 24-të i Festivalit “Teatri Shqiptar në RMV”. Ky festival synon të kthehet në një pikëtakim të rëndësishëm për artdashësit e Dibrës, duke ofruar netë të mbushura me premiera, interpretime të veçanta dhe energji krijuese që e bëjnë qytetin epiqendër të kulturës për tetë ditë me radhë, shkruan Portalb.mk.

Ylber Nuredini drejtor i festivalit “Teatri Shqiptar në RMV” për Portalb.mk tha se festivalit vjen si një ftesë për reflektim dhe bashkim rreth vlerave më të larta që arti i skenës mund të përcjellë.

“Ky edicion i 24-të i festivalit vjen si një ftesë për reflektim dhe bashkim rreth vlerave më të larta që arti i skenës mund të përcjellë. Ne dëshirojmë që ky festival të sjellë mesazhin e paqes, të mirëkuptimit dhe të vërtetës artistike-asaj të vërtete të pastër dhe lakuriqe, që vetëm teatri di ta zbulojë në vendin e shenjtë të quajtur skenë. Në këtë hapësirë ku fjalët dhe emocionet bashkohen, publiku gjen jo vetëm argëtim, por edhe nxitje për të menduar më thellë mbi të ardhmen, edukimin, emancipimin dhe zhvillimin tonë kulturor”, tha Nuredini.

Ai shtoi se të gjitha shfaqjet pjesmarëse janë primerë për qytetin e Dibrës.

“Çdo shfaqje që do të prezantohet në këtë festival është një premierë për qytetin e Dibrës, duke e kthyer këtë javë kulturore në një përvojë të veçantë e të paharrueshme për publikun dibran. Produksionet teatrore që marrin pjesë, me mjeshtëritë dhe interpretimet e tyre, sjellin art në kuptimin më të plotë të fjalës: art që ngacmon ndjenjat, provokon mendimin dhe na lidh me njëri-tjetrin përtej kufijve. Çdo trupë dhe çdo shtëpi teatrore pjesëmarrëse është e mirëpritur në këtë skenë, duke e pasuruar me zërat dhe ngjyrat e tyre unike”, tha Nuredini.

Nuredini edhe më tej shtoi se edicioni i 24-të nuk është vetëm një festë e teatrit, por edhe një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një tradite kulturore të qëndrueshme

“Ky festival, duke mbledhur në një skenë të vetme shfaqje profesioniste nga qytete të ndryshme, ka forcuar bindjen se Dibra ka nevojë për institucione teatrore të mirëfillta. Ky është një mesazh që shkon përtej ditëve të festivalit: një thirrje që në të ardhmen të themelohet një teatër profesionist në qytet, një shtëpi arti që do të mund të ruajë, zhvillojë dhe përcjellë energjinë që ky festival tashmë ka ndezur. Në këtë mënyrë, edicioni i 24-të nuk është vetëm një festë e teatrit, por edhe një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një tradite kulturore të qëndrueshme, që do të vazhdojë të frymëzojë brezat e ardhshëm”, tha Nuredini.

Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të RMV-së, Komuna e Dibrës, Qendra për Kulturë Dibër, Banjat e Dibrës dhe shumë përkrahës të tjerë.

Programi i festivalit “Teatri Shqiptar në RMV”:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu