Islanda nuk njihet vetëm për natyrën e saj mbresëlënëse me akullnaja, ujëra termale dhe aurora boreale, por edhe për cilësinë e jetës që u ofron qytetarëve të saj. Së fundmi, vendi është shpallur si më i sigurti në botë dhe renditet i treti në listën e kombeve më të lumtura, duke e kthyer në një prej destinacioneve më të dëshiruar për të jetuar në Europë.
Një nga faktorët që e bën edhe më tërheqëse është fuqia e tij ekonomike. Paga mesatare në Islandë arrin rreth 4.500 euro, shoqëruar me një ekonomi të qëndrueshme dhe një sistem shëndetësor cilësor. Këto elementë sigurojnë një nivel të lartë mirëqenieje për qytetarët.
Edhe në renditjet globale për vendet më tërheqëse për emigracion, Europa dominoi me emra si Zvicra, Luksemburgu, Norvegjia, Irlanda, Danimarka dhe Holanda. SHBA u pozicionua në vendin e shtatë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ra deri në vendin e 19.
Ndërkohë, një tjetër klasifikim mbi lumturinë konfirmoi edhe një herë epërsinë nordike: Finlanda u shpall vendi më i lumtur për të tetin vit radhazi, e ndjekur nga Danimarka dhe Islanda. Në kontrast, SHBA zbriti në vendin e 24, Britania e Madhe në të 23-in, ndërsa fundi i listës i përket Afganistanit, Sierra Leones, Libanit, Malavit dhe Zimbabves.