“Situata aktuale në Europë është më e vështirë dhe e rrezikshme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.
Kështu është shprehur Kryeministrja e Danimarkës, Mete Fredriksen. Në reagimin e saj për mediat në fillim të Samitit Europian për Ukrianën, Fredriksen theksoi se Europa po jeton një luftë hibride për shkak të interferimeve të dronëve rus.
Udhëheqësit e BE u takuan në Kopenhagen për të forcuar mbrojtjen evropiane pas një serie ndërhyrjesh ruse në hapësirën ajrore të BE-së dhe disa ditë pasi dronët shënjestruan aeroportet daneze, shkruan A2.
“Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë se ekziston një luftë hibride, dhe një ditë është Polonia, ditën tjetër është Danimarka, dhe javën tjetër ndoshta do të jetë diku tjetër ku do të shohim sabotim, ose do të shohim dronë që fluturojnë, ka shumë episode të ndryshme. Pra, e shoh këtë nga një perspektivë evropiane. Ekziston vetëm një vend që është i gatshëm të na kërcënojë, dhe ajo është Rusia, dhe për këtë arsye na duhet një përgjigje shumë e fortë. Kur e shoh Evropën sot, mendoj se jemi në situatën më të vështirë dhe të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, jo më i Luftës së Ftohtë”, tha Mete Fredriksen.
Me këtë reagim, Frederiksen i dha tonin samitit në Kopenhagen. Takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së duhet të përqendrohet kryesisht në përpjekjet e përbashkëta për një pengesë dhe mbrojtje më të mirë. Danimarka është ende nën presionin e alarmeve të përsëritura për dronë të ditëve të fundit.
Inkursionet janë bërë më të mprehta për vendet në krahun lindor të BE-së, siç janë Polonia dhe Estonia. Një numër shtetesh anëtare kanë mbështetur tashmë planet për një “mur dronësh” shumështresor për të zbuluar, ndjekur dhe shkatërruar shpejt dronët rusë.
Danimarka ka forcuar sigurinë për samitin, duke ndaluar të gjitha fluturimet e dronëve civilë deri të premten dhe duke vendosur kufizime të rrepta në trafikun në Kopenhagen. Aeroporti i Kopenhagenit, i ndjekur nga disa aeroporte daneze dhe baza ushtarake në gadishullin Jutland, u përball me ndërprerje të dronëve javën e kaluar. Dhjetë aleatë po ofrojnë mbështetje kundër dronëve dhe mbikëqyrjes, sipas ushtrisë së Danimarkës, e cila ka theksuar një “prani në rritje të trupave dhe pajisjeve të huaja”. Ndër vendet që kontribuojnë janë Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Finlanda, Suedia dhe SHBA-ja. Një fregatë gjermane është ankoruar gjithashtu në Kopenhagen.
Nga ana e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për kujdes “shumë të madh” në përballjen aktuale me Rusinë.
“Ne duhet të jemi të fortë për të shmangur çdo agresion, por duhet të mbetemi shumë të kujdesshëm dhe të shmangim çdo përshkallëzim”, tha Macron.
Rusia ka qenë “një aktor shumë agresiv” për disa vite, shtoi kreu i shtetit francez. Kjo mund të shihet në sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve, luftën e agresionit kundër Ukrainës, përdorimin e kërcënimeve bërthamore dhe tani provokimet në hapësirën ajrore.