Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka shpjeguar pse klubi vendosi të transferojë Roony Bardghji, pavarësisht rikuperimit të lojtarit nga një dëmtim serioz.
19-vjeçari, i cilësuar si “Messi suedez”, u afrua për të shtuar thellësi në skuadër pas Lamine Yamal, me Decon që krahasoi profilin e dy lojtarëve, duke theksuar se marrëveshja nuk ishte spontane, por pjesë e një procesi të gjatë vëzhgimi.
Duke folur në një intervistë të detajuar për Mundo Deportivo, drejtori sportiv konfirmoi se nënshkrimi me Bardghjin nuk ishte një vendim i nxituar.
“Roony ishte një lojtar që e kishim monitoruar prej kohësh. Ideja jonë nuk është të shkojmë në treg nëse tashmë kemi lojtarët brenda klubit. Por ne punojmë në bazë të analizës dhe jo emocioneve. Ramë dakord me trajnerin që na duhej një lojtar i ri për atë pozicion”.
“Kishim Dani Rodriguez për atë rol, por ai u dëmtua, dhe gjithsesi është një profil ndryshe nga Roony, i cili i ngjan më shumë me Lamine, pasi është lojtar që lidhet mirë me lojën”.
“E kishim ndjekur Roony edhe më parë, por ai u dëmtua dhe u rikthye në mars. Nuk kishte luajtur shumë, por ishte një lojtar me shumë talent dhe ishte një mundësi e mirë në treg”.
“E njihnim agjentin e tij, dhe siç dihet, kontrata e tij ishte drejt skadimit, kështu që marrëveshja ishte më e thjeshtë. Për më tepër, ai është vetëm 19 vjeç dhe ka shumë potencial”, ka thënë Deco./Telegrafi/