Mes diskutimeve të shumta që ka ngjallur kjo çështje, dhe trysnisë që po bëhet për përjashtimin e Izraelit nga Eurovisioni për shkak të konfliktit në Gaza, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se nëse kjo gjë ndodh, Gjermania duhet të tërhiqet nga gara vjetore e këngës.
I pyetur në një intervistë për transmetuesin publik ARD nëse Berlini duhet të heqë dorë vullnetarisht nga pjesëmarrja, Merz tha: “Do ta mbështesja një hap të tillë. Mendoj se është skandal që kjo gjë madje edhe po diskutohet. Izraeli e ka vendin atje”.
Show muzikor përfshin vende nga Europa, por edhe më gjerë, ku secili shtet paraqet një këngë për të garuar për titullin, që më pas përcaktohet në bazë të vlerësimit të bërë si nga juria kombëtare, ashtu edhe nga votimi publik. Trysnia ndaj organizatorëve të festivalit është rritur në javët e fundit, pasi disa transmetues, përfshirë ata nga Spanja, Irlanda dhe Holanda, kanë kërcënuar se do të tërhiqen nëse Izraelit nuk i ndalohet pjesëmarrja, për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Transmetuesit kombëtarë luajnë rol vendimtar në Eurovision, pasi ata janë përfaqësuesit zyrtarë të vendeve të tyre në Unionin Evropian të Transmetimeve (EBU).
Pikërisht EBU-ja njoftoi në fund të muajit të kaluar se do ta zhvillojë një takim online me të gjithë transmetuesit anëtarë në nëntor për të votuar mbi pjesëmarrjen në garën e majit 2026, që është planifikuar të mbahet në Vjenë.