BE heq dorë nga vulosja e pasaportave, hyn në fuqi sistemi i ri digjital në kufij

Bashkimi Evropian po përgatitet të zëvendësojë vulosjen e pasaportave me një sistem të ri digjital për menaxhimin e kufijve, i cili pritet të hyjë në fuqi gradualisht duke nisur nga e diela, 12 tetor.

Qytetarët australianë dhe të vendeve të tjera jashtë BE-së që udhëtojnë drejt Evropës mund të përballen me sistemin e ri të hyrje-daljeve biometrike (Entry/Exit System – EES). Edhe pse në fillim mund të krijohen vonesa, sistemi synon të thjeshtojë dhe përshpejtojë procedurat në kufi.

Si do të ndryshojë kontrolli kufitar në BE?

Të gjithë qytetarët joevropianë që udhëtojnë drejt zonës Shengen, e cila përfshin 29 shtete, nga të cilat 25 janë pjesë e BE-së dhe katër të tjera si Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda do të regjistrohen përmes sistemit të ri digjital.

Irlanda dhe Qiproja do të vazhdojnë me procedurat manuale të kontrollit të pasaportave. Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesë e zonës Shengen.

Në vend të vulave në pasaportë, sistemi EES do të regjistrojë të dhënat biometrike të udhëtarëve si fytyrën dhe gjurmët e gishtërinjve si dhe datat e hyrjes dhe daljes.

“Sistemi EES do të zëvendësojë gradualisht vulosjen e pasaportave me një sistem digjital që regjistron automatikisht hyrjen dhe daljen e udhëtarëve, duke përshpejtuar kontrollin kufitar dhe duke ndihmuar punonjësit të jenë më efikasë”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.

Sistemi gjithashtu synon të ndihmojë në parandalimin e migrimit të parregullt dhe të forcojë sigurinë duke i ofruar autoriteteve kufitare më shumë akses në informacionet e udhëtarëve.

Zbatimi i sistemit nis këtë fundjavë, por do të jetë një proces i përshkallëzuar. Pritet që EES të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu