Shtetet e Bashkuara nisën të enjten zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), kompania më e madhe energjetike në këtë vend, për shkak të pronësisë së saj shumicë nga Rusia, përcjell INA.
Sipas Radio Televizionit të Serbisë, masat amerikane kanë hyrë në fuqi mëngjesin e sotëm, pasi zbatimi i tyre ishte shtyrë disa herë që nga janari. SHBA-ja e futi NIS-in në listën e sanksioneve për shkak të kontrollit nga kompania ruse Gazprom Neft, me qëllim të ndalimit të përdorimit të të ardhurave energjetike për financimin e luftës në Ukrainë.
Kompania serbe theksoi se furnizimet me karburante po vijojnë normalisht dhe se, në rast të ndalimit të kartelave ndërkombëtare të pagesës, transaksionet do të mund të kryhen me kartela vendase ose para në dorë.
Presidenti Aleksandar Vuçiq tha këtë javë se Beogradi do të kërkojë konsultime me Moskën, duke shtuar se “amerikanët e kanë bërë punën e tyre dhe Evropa do t’i mbështesë sanksionet”.
Sipas të dhënave të Bursës së Beogradit, Gazprom Neft zotëron 44,9 për qind të aksioneve të NIS-it, ndërsa shteti serb 29,9 për qind. Një kompani tjetër ruse, Intelligence Joint Stock Company nga Shën Petersburgu, mban 11,3 për qind.
Ekspertët paralajmërojnë se sanksionet pritet të ndikojnë në furnizimin me naftë të papërpunuar dhe të sjellin rritje të çmimeve të derivateve në Serbi, që mbetet ndër vendet e vetme evropiane që nuk ka zbatuar masa kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës./INA/