Pas humbjes së pushtetit, BDI duket se nuk po e pranon dot realitetin politik. Sipas një analize të botuar nga revista “Fokus”, burime të shumta konfirmojnë se Ahmeti dhe ekipi i tij janë përpjekur të futen në qeveri me çdo kusht, madje pa kërkesa apo kushte konkrete, vetëm që të shpëtojnë privilegjet dhe ndikimin që kishin për dy dekada.
Në tekst thuhet se BDI ka dërguar sinjale dhe njerëz të afërt për bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, duke tentuar të rikthehet në pushtet “nga dera e pasme”.
Por nga kampi i VMRO-së e demantojnë këtë dhe theksojnë se koalicioni qeverisës me VLEN është i qëndrueshëm, ndërsa “të gjelbrit” janë ata që po luten në prapaskenë.
Analiza e Fokus-it thekson se në vend që të analizojë arsyet e humbjes, BDI vazhdon të përdorë gjuhë metaforike dhe akuzuese ndaj kundërshtarëve politikë, për të krijuar përshtypjen se mbetet faktor vendimtar në skenën politike shqiptare. Megjithatë, sipas revistës, rezultati i 8 majit tregoi një realitet të ri politik ku dominon një konfigurim ndryshe i forcave shqiptare në pushtet.